Procesi zgjedhor në BE dhe relacioni me Ballkanin Perëndimor (Pjesa II).
Se zgjerimi i BE-së në Ballkanin Perëndimor është “off the table”, Macron dhe Merkel këtë e konfirmuan edhe përmes organizimit të mini-samitit në Berlin, i cili nuk dha as mini-rezultate. Thjeshtë, ishte truk, një hile diplomatike që u përdor për nevojat e tyre që Ballkani mos të bëhej pjesë e fushatave zgjedhore populiste gjatë zgjedhjeve në BE. Një ditë pas këtij mini-samiti, Macron e publikoj Strategjinë Franceze për Ballkanin Perëndimor. Askund në këtë dokument nuk u përmend zgjerimi.
Në anën tjetër, rekomandimit të Komisionit Evropian për hapjen e negociatave për Shqipërinë dhe për Maqedoninë e Veriut, nuk duhet t’i jepet kuptimi që nuk e ka. Ky proces i jep kohë BE-së që me këtë qasje ta bëjë procesin më të gjatë dhe më të papërcaktuar. Nëse perspektiva e zgjerimit nuk përkrahet nga secili vend anëtar i BE-së, i përcjellë me plan konkret, narrativa e Komisionit Evropian nuk premton asgjë.
Rasti tjetër – edhe pse i shkëputur nga procesi i zgjerimit – është mos liberalizimi i vizave për Kosovën. Përveç që na shtuan një kriter si ai i demarkacionit, për shkak të cilit u desh që në parlament të hungërijne plot kuaj e të performojnë gomerë për tri vite radhazi, megjithatë shumë statistika flasin se Kosova ka plotësuar kushtet. Nga 72 mijë aplikacione për azil në 2015, numri i tyre ka rënë në 7,500 në vitin 2017. Pra, ka rënie prej 90 për qind. Nga 9,700 kthime të dhunshme në Kosove nga BE më 2015, numri i tyre ka rënë në 1,800 në vitin 2017. Nga 19 mijë migrime legale më 2015, numri i tyre është ngritur në 26 mijë në vitin 2017. Kurse, askush nuk mund të konfirmojë se nivelet e korrupsionit në Kosovë janë shumë më të larta se vendet fqinje, si në: Bosnje e Hercegovinë, Shqipëri apo në Serbi.
Atëherë, pyetja është se çfarë do Macroni në Ballkanin Perëndimor pas zgjedhjeve për Parlamentin Evropian, pa opsionin e zgjerimit në tavolinë? Nëse ka zgjedhur bllokimin e zgjerimit, nga frika se kjo temë është e ndjeshme të elektorati francez duke ju friguar Le Pen-it, apo për shkak se dëshiron të rrisë pazarin në negociatat me Merkelin lidhur me reformën në BE (ku kanë interesa të ndryshme), ai gabon sepse në Ballkanin Perëndimor po shtrijnë suksesshëm ndikimin Rusia dhe Kina. Nëse e kanë nga frika se popullata në këto shtete janë me shumicë myslimane, atëherë duhet ta dijë se sa milionë myslimanë i ka Franca dhe Gjermania, e sa Bosnja, Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut (të gjitha së bashku), apo të marr për shembull Londrën që udhëhiqet nga një mysliman.
Kjo në asnjë mënyrë nuk do të thotë se vendet aspiruese nuk duhet të vazhdojnë reformat demokratike, por kjo po ashtu nuk do të thotë që duhet të pritet që këto vende të funksionojnë si Suedia, Danimarka apo Zvicra, sepse ato standardet janë të paarritshme edhe për disa shtete anëtare të BE-së. Për shembull, ne pamë sesi Qeveria në Spanjë pati skandal të madh me konservatorët që kishin shtrirë korrupsionin më të madh në histori të vendit.
Përkundër dallimeve sa u përket çështjeve brenda Unionit, për çështjen e (mos)zgjerimit si duket pajtohet edhe Merkeli, sepse Gjermanisë i konvenon vetëm absorbimi i fuqisë së kualifikuar punëtore nga Ballkani (për çka kanë shumë nevojë) si dhe rrjedha e gazsjellësit “Turkish Stream” që do të kalojë nëpër Serbi, për të furnizuar në të ardhmen edhe Gjermaninë. Mirëpo, nuk janë të qartë edhe për integrimin politik të rajonit!
Pas zgjedhjeve në BE, është e qartë se ky relacion me Ballkanin Perëndimor do të vazhdojë dhe gradualisht do të zhdukë të vetmin sukses të madh të politikës se jashtme të BE-së – zgjerimi me anëtarë të rinj. Fatkeqësisht, kjo strategji që i vendos shtetet aspiruese për dekada në “dhomën e pritjes”, nuk i kontribuon zhvillimit demokratik, sepse e ulë entuziazmin për reforma, duke krijuar terren të favorshëm për nacionalistët lokalë, euroskeptikët, krimin e organizuar, migrimin, e horrat terrorist. Kjo strategji e BE-së i konvenon vetëm Rusisë që shfrytëzon çdo situatë për të mbajtur ndezur konfliktet në Ballkan. Rasti më i freskët është aktiviteti i “diplomatit” rus të UNMIK-ut në veri të Kosovës. Madje, Rusia tenton të keqpërdor edhe protestat, si ato në Serbi, Mal të Zi e Shqipëri, duke besuar se mund të destabilizojnë rajonin dhe si të tilla të mos jenë në rezonancë me interesat e SHBA-së.
Nëse Ballkani mbetet kështu përderisa BE do të fillojë diskutimet e gjata për reformat institucionale, politikat fiskale, paketën financiare për vitet e ardhshme dhe e imponon “diktaturën” burokratike në vendet aspiruese – deficiti demokratik në rajon do të rritet. Kur kësaj i shtohet rivaliteti i fuqive të mëdha në kuadër të lëvizjeve të reja gjeopolitike, atëherë Ballkani mund të provokojë konflikte në baza etnike dhe veriu i Kosovës është gjeografia më e përshtatshme për operacione të tilla.
Kjo qasje tregon se edhe pas këtyre zgjedhjeve, nuk ndryshojnë implikimet për Ballkanin Perëndimor nga ana e BE-së. Krejt çfarë mund të thuhet është se Kosova ka përfituar nga këto zgjedhje veç pse nuk është rritur numri i partive të ekstremeve të djathta që të dominojnë institucionet e BE-së. Në një situatë të tillë, me orkestrimin e miqve të Vuçiqit, si Salvini e Orban, ka mundësi që do të insistohej që Serbia të integrohet në BE sipas modelit të Irlandës apo te Qipros – pra së pari integrim e më vonë zgjedhja e çështjeve kontestuese.
Kjo qasje tregon se edhe Macroni edhe Merkeli nuk do të jenë në gjendje të gjejnë baraspeshë midis angazhimit efektiv dhe politizimit të dëmshëm të procesit të zgjerimit, dhe do të dështojnë të gjejnë mënyra sesi BE-ja mund të përmirësojë besueshmërinë e politikave të saj drejt Ballkanit Perëndimor. Kjo qasje do të vazhdojë ta mbajë temën e zgjerimit si subjekt me plot ambivalenca dhe ndjenja negative, qoftë për opinionin publik brenda BE-së, por edhe për shtetet anëtare të BE-së. Thjeshtë, kjo situatë na konfirmon se pas qerasjes së madhe me drekën “Marshall’ nga SHBA-të, BE-ja arriti të bëhet gjigant ekonomik, por vazhdon të mbetet xhuxh politik dhe milingonë ushtarake në krahasim me SHBA-në. Prandaj, shpresa e rajonit e ka adresën te politika e jashtme amerikane e cila ka konsistencë në Ballkanin Perëndimor për më shumë se dy dekada. Pavarësisht magnitudave të këtyre dy viteve të fundit, qasja e administratës Trump megjithatë dëshmon se trajektorja e saj nuk ka lëvizur nga binarët strategjik që kanë për qëllim ndalimin e qasjes së Rusisë në ujërat e nxehta të Adriatikut. Dëshmi për këtë është fakti se SHBA-ja mbështeti anëtarësimin e Malit të Zi në NATO dhe përkrahu zgjidhjen e problemit afër 30-vjeçar mes Greqisë dhe Maqedonisë.
Tani radhën e ka Kosova dhe Serbia, në mënyrë që Ballkani Perëndimor njëherë e përgjithmonë të hyjë nën ombrellën e zonës së sigurisë së NATO-s, respektivisht asaj amerikane, duke e minimizuar kështu ndikimin rus. Nëse dialogu Kosovë-Serbi mbetet të trajtohet përmes letargjisë evropiane, perspektiva do të jetë e zymtë. Ndaj, lidershipi shqiptar duhet të punojë që të mbesë brenda binarëve strategjikë amerikan dhe mos të bëhen si ai çajaxhiu që të gjitha i di por vetëm çaj nuk din të bëj.
Politika ka një set rregullash dhe për çështje të interesave shtetërore, të Kosovës dhe të Shqipërisë, dhe atyre kombëtare përgjithësisht, nuk duhet të udhëhiqemi nga emocionet. Pavarësisht që në momente të caktuara inatet, mosdija dhe pasionet mund të vijnë edhe nga shumica, duhet që esëll të dimë të bëjmë dallimin mes të vendimeve të guximshme institucionale dhe atyre emotive që shërbejnë vetëm si karburant për elektorat. Vetëm në këtë mënyrë shqiptarët do mund të realizojnë interesat e tyre brenda kontekstit të interesave strategjike amerikane në rajon, rrjedhimisht edhe brenda dinamikave të reja gjeopolitike, duke ruajtur linjën miqësore të komunikimit e integrimit me BE-në.
(Autori është ligjërues në Departmentin e Shkencave Politike të Universitetit të Prishtinës).
Në linkun e mëposhtëm e gjeni pjesën e parë të tekstit: Implikimet e rezultateve të zgjedhjeve në Bashkimin Evropian në raport me Ballkanin Perëndimor.
https://gazetametro.net/implikimet-e-rezultateve-te-zgjedhjeve-ne-bashkimin-evropian-ne-raport-me-ballkanin-perendimor/