Një person ka humbur jetën dhe disa të tjerë janë lënduar pas një incidenti me një slitë gjigante në parkun argëtues “Six Flags Over Georgia”, në shtetin amerikan të Xhorxhias, rreth 24 kilometra larg Atlantës, transmeton Gazeta Metro.
Sipas agjencisë së lajmeve Associated Press (AP), ngjarja ndodhi të hënën, ndërsa Policia e kontesë Cobb ka nisur hetimet për të zbardhur rrethanat. Deri më tani, autoritetet nuk kanë bërë të ditur shkakun e vdekjes dhe as hollësi për gjendjen e personave të lënduar.
Pamjet televizive treguan vizitorët duke u evakuuar nga slita “Goliath”, e cila kishte ndaluar gjatë lëvizjes. Megjithatë, policia dhe drejtuesit e parkut nuk e kanë konfirmuar zyrtarisht se ky atraksion ishte ai ku ndodhi incidenti.
Dëshmitarët kanë deklaruar për mediat lokale se panë një person duke rënë nga slita, por rrethanat e sakta të ngjarjes mbeten ende nën hetim.
Pas incidentit, kompania Six Flags njoftoi mbylljen e përkohshme të nëntë slitave në gjashtë parqe argëtimi, si masë paraprake. Një zëdhënës i kompanisë tha se stafi dhe autoritetet reaguan menjëherë, ndërsa kompania po bashkëpunon me hetuesit./gazetametro.net