Rusia ka njoftuar se një prej anijeve të tyre luftarake ka ndjekur dhe përzënë një luftanije amerikane që ka tentuar të shkelë siç pretendojnë në ujërat territoriale ruse gjatë stërvitjeve të përbashkëta ruse-kineze në detin e Japonisë, transmeton Gazeta Metro.
Sipas raportit të agjencisë së lajmeve Reuters nuk kishte koment të menjëhershëm nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për këtë incident të pretenduar.
Sipas agjencisë ruse të lajmeve Interfax, që ka cituar ministrinë e mbrojtjes së Rusisë, ekuipazhi i anijes ruse, Admirali Tributs, kishte paralajmëruar me radio luftanijen amerikane USS Chafee se ishte “në afërsi të një zone të mbyllur të navigacionit për shkak të stërvitjeve me artileri”.
Më herët, ministritë e Rusisë dhe Kinës kishin njoftuar se po mbajnë stërvitje të përbashkëta detare në Detin e Japonisë dhe kanë ushtruar si të veprojnë në koordinim në shkatërrimin e minave armiqësore me zjarr artilerie.
Marrëdhëniet mes Rusisë dhe SHBA’së janë të nivelit të ulët sa në kohën e luftës së ftohtë, megjithëse presidenti rus Putin kishte deklaruar këtë javë se ka krijuar një raport solid me homologun e tij amerikan Biden dhe “sheh potencial të përmirësimit”./gazetametro.net