Incizimet e kamerave afër Kuvendit të Kosovës janë dërguar jashtë vendit në përpjekje për të qartësuar sulmin me garanatahedhës më 4 gusht.
Kur kanë kaluar më shumë se katër muaj qëkur Kuvendi i Kosovës u sulmua me raketahedhës dhe nën dyshimin për këtë sulm u arrestuan gjashtë aktivistë të Lëvizjes “Vetëvendosje”, njëri nga të cilët në rrethana ende të pasqaruara plotësisht vdiq në qendrën e paraburgimit, disa nga provat për këtë sulm ende mbeten të turbullta.
Për shkak të mungesës së pajisjeve adekuate nga institucionet e sigurisë në Kosovë, disa prej video-incizimeve nga kamerat afër vendit të ngjarjes ende nuk janë qartësuar, ndërsa për këtë arsye janë dërguar jashtë vendit.
Ky fakt përmendet në kërkesën e prokurorisë për vazhdimin e paraburgimit ndaj dy aktivistëve të VV-së Atdhe Arifi dhe Egzon Haliti.
Kërkesa për vazhdimin e paraburgimit, ndonëse ishte miratuar nga gjyqtari i procedurës paraprake Vehbi Kashtanjeva, pas ankesës së mbrojtësve u ndryshua nga Gjykata e Apelit, e cila u zbuti masën e sigurisë, nga paraburgimi në arrest shtëpiak.
Gjykata e Apelit, ndonëse vlerësoi se ekziston dyshimi i bazuar se të dyshuarit kanë kryer veprën penale, i liroi ata nga paraburgimi me arsyetimin se provat e dërguara jashtë vendit janë duke u pritur nga institucionet shtetërore dhe prandaj nuk mund të ndryshohen apo asgjësohen.
KALLXO.com përmes telefonit provoi të kontaktojë prokurorin e rastit Abdurrahim Islami për ta pyetur se kur pritet që t’i ketë në dispozicion video-materialet e qartësuara, por prokurori Islami nuk ishte i qasshëm.