Loading…

Insiston se në Mitrovisë s’do të ketë mur

  • 09/12/2016 | 22:30

Insiston se në Mitrovisë s’do të ketë mur

Ministrja për Dialog, Edita Tahiri, kryenegociatore e Kosovës në dialogun e Brukselit, po insiston se muri në veri të Mitrovicës është ilegal dhe në kundërshtim me Marrëveshjen e Brukselit dhe lëvizjen e lirë.

Tahiri ka thënë se çështja e shkeljes së Marrëveshjes së Brukselit është biseduar gjerësisht me Bashkimin Evropian, gjatë ditës së djeshme dhe sotme.

“Në bisedimet që patëm dje me Bashkimin Evropian, këtu në Prishtinë, ku ishin prezent edhe dy kryetarët e komunave të Mitrovicës, në emër të Qeverisë së Kosovës kam kërkuar zbatimin e plotë të marrëveshjes për revitalizimin e Urës së Ibrit në Mitrovicë si dhe eliminimin e menjëhershëm të shkeljeve të bëra nga një mur ilegal. Po ashtu, diskutuam edhe pjesën tjetër të Marrëveshjes që lidhet me revitalizimin e rrugës kryesore të komunës veriore të Mitrovicës, e cila do të shndërrohet në rrugë për këmbësorë, sipas Marrëveshjes së Brukselit”, ka thënë Tahiri.

Tahiri ka thënë gjithashtu se ka kërkuar nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH) që të përgatisin një raport duke bërë matjet në terren për të parë nëse rrethrrotullimi në anën veriore të urës së Ibrit është cenuar nga projekti për revitalizimin e rrugës për këmbësor. “Nga raporti i MMPH i të cilin e kam pranuar në orët e mbrëmjes, është konstatuar se dimensionet e këtij rrethrrotullimi janë ruajtur në pajtim me marrëveshjen e Brukselit dhe të njëjtin ia kam përcjellë Bashkimit Evropian.

Me këtë rast dëshiroj të njoftoj opinionin e gjerë publik se pajtimi me BE-në dhe konkluzionet e dakorduara mbrëmë janë rikofirmim se Marrëveshja e Brukselit e datës 25 gusht 2015 do të respektohet plotësisht dhe se revitalizimi i urës dhe revitalizimi i rrugës për këmbësorë në pjesën veriore të qytetit të Mitrovicës do të jenë në pajtim me parimet e lëvizjes së lirë. Kjo do të thotë se nuk do të ketë mur në pjesën që lidh urën e Ibrit me rrugën për këmbësorë në veri të qytetit, sepse muri është në kundërshtim me Marrëveshjen e Brukselit”, theksoi ministrja Tahiri.

Ministrja ka thënë se Qeveria e Kosovës e ka parasysh shqetësimin e qytetarëve dhe tensionet e krijuara nga ky mur ilegal.

“Por ne ju sigurojmë se nuk do të ketë kurrfarë muri në atë pjesë të qytetit të Mitrovicës. Ne ftojmë qytetarët dhe opinionin publik që të jenë të përmbajtur dhe të kenë durim sepse ky problem do të zgjidhet, është çështje ditësh kur gjërat do të shkojnë në vend ashtu siç jemi dakorduar me BE-në dhe në pajtim të plotë me Marrëveshjen e Brukselit”, ka thënë Tahiri.

“Ju përkujtojmë se përvoja të tilla negative që i ka krijuar Serbia i kemi pasur edhe me rastin e heqjes së barrikadës nga ura e Ibrit, kur një barrikadë u hoq dhe tjetra u vu si një “park paqe” të cilën e hoqëm tërësisht. Dhe ju jeni të gjithë dëshmitarë se tashmë ura e Ibrit është urë e lirë dhe bashkuese. Ju sigurojmë se edhe ky mur do të hiqet në ditët në vijim dhe gjithë do shohim së bashku se nuk do të ketë mur e as pengesa të çfarëdoshme për lëvizjen e lirë”, theksoi ministrja Tahiri.

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë