Inspektoriati Policor i Kosovës ka mohuar lajmin se janë duke u hetuar rreth 671 zyrtarë policorë të Kosovës nga ky inspektoriat.
Në një komunikatë dërguar medieve ata deklarojnë se shifra e lartcekur nuk qëndron dhe është një keqinterpretim, përcjell gazetametro.net
Kryeshefi Ekzekutiv i Inspektoratit Policor të Kosovës, Hilmi Mehmeti, gjatë raportimit para Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës më 28.02.2017 shpalosi të arriturat e IPK-së duke përfshirë edhe disa statistika nga raporti vjetor i IPK’së për vitin 20116.
Mehmeti para anëtarëve të Komisionit për Punë të Brendshme theksoi numrin e rasteve që janë hetuar nga IPK-ja e që ky numër nuk nënkupton edhe numrin e zyrtarëve policorë që janë hetuar, thuhet tutje në këtë njoftim.
Inspektoriati bën të ditur se në vitin 2016 IPK ka pranuar dhe ka menaxhuar me 1362 ankesa dhe informata.
Nga 671 raste që ka trajtuar IPK-ja, 165 prej tyre janë cilësuar si raste me elemente të veprës penale dhe në total 241 punonjës të PK-së kanë qenë subjekt i hetimit nga IPK-ja (ose vetëm 2.7 % e punonjësve të PK-së), e jo 671 zyrtarë policorë siç është publikuar në disa portale, thuhet në vazhdim të njoftimit. /gazetametro.net