Prindërit e nxënësve të shkollës fillore “ Visar Krasniqi” në Drenoc të Malishevës, ditë më parë kërkuan përjashtimin nga puna të arsimtares së matematikës Fatmire Bujupit, vetëm pse bartë shami.
Kjo ngjarje ka hapur debat nëse mësuesja ka apo nuk ka të drejtë të japë mësim me shami.Këtë ngjarje e ka komentuar edhe Ipeshkvi i Ipeshkvisë së Kosovës, Imzot Dodë Gjergji, me rastin e fillimit të konferencës shkencore Revista “Dituri Islame”, që po organizohet nga Bashkësia Islame e Kosovës.
Dodë Gjergji duke folur për tolerancën fetare para të pranishmëve, ku ishte edhe kryeministri Isa Mustafa, komentoi rastin e fundit të mësueses nga Malisheva, Fatmire Bujupi.
Ai tha se ndjehet tejet i zemëruar që ka ndodhur ky rast, duke mbrojtur mësuesen me shami në të drejtën për të shprehur besimin e saj edhe para nxënësve.
“Unë do të isha shumë i zemëruar nëse një mësuesi apo një mësueseje të besimit katolik do t’i kërkohej që ta heq kryqin për t’u bërë mësimdhënëse. Shprehi zemërimin tim si shqiptar që një motrës sime i mohohet e drejta të jetë mësuese, vetëm pse bartë shami”, pohuar Gjergji”, ka thënë ai.