Loading…

Ironizon Thaçi: Cili është gjeniu që e di si bëhemi pjesë NATO-s, BE-së, OSBE-së dhe OKB-së, pa marrëveshje me Serbinë?

  • 20/09/2018 | 21:23

Ironizon Thaçi: Cili është gjeniu që e di si bëhemi pjesë NATO-s, BE-së, OSBE-së dhe OKB-së, pa marrëveshje me Serbinë?

(I plotësuar) – Po vazhdon edhe pjesa e dytë e intervistës së presidentit Thaçi në “Top Story”, përballë Sokol Ballës dhe analistëve, Arjan Vasjari dhe Skënder Minxhozi.

Presidenti Thaçi ka kërkuar që të ketë mirëkuptimin e tyre për gjëra që mund të kërkohen, por që nuk mund të deklarohet për arsye të respektimit të një parimi të kryenegaciatorëve, por edhe të angazhimeve në këtë proces, sepse nuk dëshiron të lëndoj apo cënoj procesin.

“Ajo që është e vërtetë është se i tërë procesi do të jetë transparent për qytetarët. E ritheksoj, nuk besoj se ndonjë negociatë ka shkuar pa qenë e hapur për mediat apo për të cilën nuk është folur edhe përmes konferencave për media. Do të thotë procesi negociues, ndërsa rezultati përfundimtar po, sepse atë ende nuk e kemi. Ky është një debat shumë i shëndetshëm që e kam hapur vetë, jo në mënyrë aksidentale, por me qëllimin e qartë që njerëzit të debatojnë, të japin idetë e tyre, sugjerimet e tyre, sepse çdo vërejtje, sugjerim dhe mbështetje më bën një negociator dhe president më të mirë. Ne e dëgjuam edhe këshilltarin për sigurinë kombëtare të SHBA-së. Ata që dinë vetëm pak nga politika, ata që kanë pasur përgjegjësi institucionale kudo në botë, e dinë se kur del këshilltari për sigurinë kombëtare të SHBA-së, flet vetë shteti. Besoj se janë opinione sinqerisht injorante, me shumë padituri dhe shumë tendenciozitet, të akuzohet Shtëpia e Bardhë se po i bën argat Rusisë”, ka thënë Thaçi.

Ai ka thënë se nuk ka asgjë kundër Rusisë dhe Kosova dëshiron të ketë raporte siç kanë dhe shtetet e tjera me të, mirëpo qëllimi jonë është Bashkimi Evropian, NATO-ja dhe shqiptarët e Kosovës janë më pro NATO, më pro SHBA dhe më pro BE.

“Rusia ka qenë pjesë e negociatave të Rambujesë, ka qenë në Vjenë, ka pasur prani edhe në kuadër të KFOR-it. Nuk po them se tani duhet të marrë pjesë në proces, i cili i duhet Bashkimit Evropian dhe ka mbështetjen e plotë të zonjës Mogherini. Por, gjërat janë më serioze. Natyrisht shumë të ndërlikuara, por me një marrëveshje mund të thjeshtohen fare lehtë. Ndodhë njohja e ndërsjellë dhe i tërë ky proces mbyllet njëherë e përgjithmonë në historinë tonë. Arritja e marrëveshjes Kosovë-Serbi nënkupton përfundimin e konfliktit të ngrirë, tragjedive, konflikteve, urrejtjes. Ndërsa, vazhdimi i një gjëndjeje të tillë nënkupton konflikte, probleme, stagnim për Kosovën, mosintergrim në NATO, BE ose KE, OSBE, e KB. Nëse dikush e gjen formulën sesi ne të levizim drejt NATO-s, të lëvizim të lirë drejt BE-së, pa marrëveshje me Serbinë, sesi ne të lëvizim të lirë në KE dhe në OSBE, atëherë unë sinqerisht do i duartrokisja dhe do të isha njeriu më suportiv. Vetëm ta gjejmë atë gjeni brenda kombit shqiptar, qoftë në Tiranë apo në Prishtinë”, ka ironizuar Thaçi.

Sipas tij, Kosova deri këtu ka ardhur me kompromise, që do të thotë se e kemi fituar lirinë me kompromise dhe tashmë nëse më pyet nëse Serbia do të pajtohet, sigurisht se do të ketë kompromis, por cili do të jetë ai është ende herët që të flitet.


Thaçi përmend indirekt Leposaviqin, Zubin Potokun dhe Leshakun kur pyetet rreth sakrificës për Luginën e Preshevës

(I plotësuar) – Presidenti Thaçi në “Top Story” është pyetur nga analisti Skënder Minxhozi, i cili përmend edhe kundërshtimet gjermane, se nëse do kërkohej që për Preshevën dhe komunat e tjera shqiptare të sakrifikohen komuna në veri të Kosovës me shumicë serbe apo asestet e Kosovës, cila do të ishte përgjigjja për këtë kërkesë të palës serbe, sepse, sipas tij, që të ketë një marrëveshje duhet të ketë një ujdi mes palësh?

“Nëse do të ndodhë korrigjimi apo jo, unë shoh gjasa shumë të pakta, sepse Serbia nuk do të pajtohet. Uroj që ajo të reflektoj përmbajtjen e çdo faktori ndërkombëtar. I kuptoj dhe i respektoj edhe skepticizmat, por në momentin që arrihet marrëveshja Kosovë-Serbi për korrigjimin e kufijve, jam i bindur se të gjithë në mënyrë unike do ta mbështesin marrëveshjen, edhe SHBA-ja, edhe BE-ja, duke përfshirë të gjitha shtetet anëtare të BE-së. Ata që po flasin kundër korrigjimit, në një formë apo tjetër dërgojnë mesazhe për ndarje dhe shkëmbime. Kudo që të jenë ata, e kanë gabim dhe unë do të jem përballë tyre. Ideja ime është vetëm korrigjimi, bashkimi i Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit me Kosovën. Asnjë aset i Kosovës, as Ujmani, as veriu i Kosovës dhe as Trepça nuk vijnë në konsideratë që të jenë pjesë e Serbisë. Është e vërtetë edhe tjetra, që Tito dhe Rankoviq, në kohën e dëbimit masiv të shqiptarëve nga Kosova në vitet 1956-1959, për të bërë një balancë demografike, ia kanë bashkëngjitur Kosovës një pjesë të Leposaviqit, Leshakut dhe Zubin Potokut. Tani a duhet të mbetemi ne viktimë e Titos? Është e drejtë historike e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit t’i bashkohen Kosovës. Unë e mbështes plotësisht të drejtën e tyre. Më vjen mirë që edhe botërisht faktori ndërkombëtar po reflekton gjithnjë e më tepër. Skena politike në Kosovë është plotësisht në favor të dialogut, negociatave dhe të arritjes së një marrëveshjeje, duke mos e përjashtuar edhe korrigjimin. Ata që flasin për luftë dhe tragjedi, të jesh i bindur që më së pakti janë të interesuar për probleme, konflikte. Për luftë kanë folur edhe në kohën e demarkacionit me Malin e Zi. Sot, 90% e anëtarëve të Qeverisë së Kosovës e mbështesin korrigjimin. 80% e qytetarëve të Kosovës e mbështesin korrigjimin e kufirit. Edhe presidenti, edhe kryeministri mund të ndërrohen, por korrigjimi do të ndodhë. 98% e qytetarëve në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc e mbështesin bashkimin e Luginës me Kosovën. Ndërsa, mbi 90% e qytetarëve të Kosovës e mbështesin kërkesën që Presheva, Medvegja e Bujanoci t’i bashkohen Kosovës. Nuk ka individë, që do të mund ta bllokojë këtë proces, sepse ne do të shkojmë në referendum dhe vetë qytetarët do ta thonë fjalën e tyre”, ka thënë Thaçi.

Ai ka shtuar se pretendimi për të krahasuar Kosovën me Bosnjë-Hercegovinën është tërësisht i paqëndrueshëm. Problemi i Bosnjës, sipas presidentit Thaçi, është krijuar përpara Kosovës dhe ka vazhduar e do të vazhdojë edhe pas zgjidhjes së problemit të Kosovës.

“Po hapet Kutia e Pandorës? Mendoj dhe besoj fuqishëm se përmes një korrigjimi të kufirit Kosovë-Serbi, do kemi një precedent pozitiv. Marrëveshja do të jetë e vullnetit të mirë, vullnetit të lirë dhe marrëveshjes paqësore”, ka thënë ai.


Thaçi: Edhe Sllovakia, Çekia, Holanda e Belgjika i kanë korrigjuar kufijtë

(I plotësuar) – Presidenti Thaçi ka thënë se po vepron dhe është në bashkërendim të plotë me partnerët ndërkombëtarë për arritjen e marrëveshjes paqësore me Serbinë.

“Është jashtëzakonisht inkurajues qëndrimi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, që na ka krijuar aftësinë për të diskutuar për korrigjimin e kufijve, siç është inkurajues edhe mesazhi mbështetës i z. Bolton. E di se ka pasur opinione të ndryshme, se ai është një qëndrim personal i z. Bolton, por ajo që mund t’ju them është se tani qëndrimi është i qartë, edhe i SHBA-së edhe i BE-së, por edhe i Parlamentit Evropian, që të shtyhet ky proces përpara dhe të krijohen mundësitë për arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare, duke përfshirë edhe korrigjimin e kufijve. Ky është një rast, një shans, të cilin duhet ta shfrytëzojmë. Jo çdoherë Uashingtoni, Bashkimi Evropian janë të fokusuar për Kosovën, për Serbinë apo për Ballkanin. Përfundimisht mendoj se nëse arrijmë marrëveshje, atëherë do të hapet një perspektivë e jashtëzakonshme për Kosovën, por natyrisht se do të hapet perspektiva evropiane edhe për Serbinë”, ka thënë Thaçi.

Presidenti ka thënë se po ekzagjerohen situata krejtësisht të paqena dhe pretendohet të fiksohen disa gjëra që nuk qëndrojnë për rajonin.

“Ne e mbështesim Maqedoninë për në NATO, por është inkurajuese edhe mbështetja e Maqedonisë për procesin e negociatave dhe mundësinë e arritjes së marrëveshjes Kosovë-Serbi. Ka pasur zhurma të ndryshme dhe sa i përket marrëveshjes Maqedoni-Greqi. Liderët duhet që, përkundër disa opinioneve të ndryshme reaguese, të dalin në interes të vendit për të arritur marrëveshje. Sikur të pyetej e gjithë bota greke apo ajo maqedone, kurrë nuk do të arrihej marrëveshja Maqedoni-Greqi. Por, dy liderët morën një vendim historik dhe të rëndësishëm, në veçanti për Maqedoninë”, ka thënë Thaçi.

Kurse, analisti Arjan Vasjari ka thënë se teza e korrigjimit të kufijve është një tezë autentike serbe që nga Qosiq. Por, presidentit Thaçi ka thënë se nuk mund të thuhet që bashkimi i Luginës së Preshevës me Kosovën është një ide serbe.

“Ju drejtohem edhe si mik, ma gjeni vetëm në një vend të shkruar prej ideologëve serbë për ndarjen e Kosovës, që e kanë pasur e që përmendet dikund korrigjimi i kufirit”, i është kundërpërgjigjur Thaçi atij.

Vasjari ka shtuar se koncepti “korrigjim kufijsh” lidhet tipikisht me organizimet politike të konsoliduara, që do të thotë shtetet, por për Serbinë, Kosova ende nuk është shtet.

“Qosiq dhe Daçiq kanë folur gjithnjë për ndarje. Bëje dallimin mes ndarjes në njërën anë, ndaj së cilës jam kategorikisht kundër dhe që nuk e kam lejuar kurrë, dhe korrigjimit të kufirit në anën tjetër. E di se ideja ime për korrigjimin e kufirit nuk është ide shumë populiste. Por, ajo është e qartë: në procesin e negociatave do të përfshihet dhe korrigjimi i kufirit, që Lugina e Preshevës, pra Presheva, Medvegja dhe Bujanoci, të përfshihen në territorin e Kosovës. Kjo është e tëra për sa i përket idesë sime. Kush flet për ndarje, shkëmbim, “Repubika Srpska”, ato janë ide serbe. Ato janë ide të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Serbisë. Ato janë ide të shtetit dhe Qeverisë së Serbisë. Unë nuk barti ide serbe, as në Shqipëri as në Kosovë. Unë barti dhe përfaqësoj vetëm interesin e qytetarëve të Kosovës dhe të Luginës së Preshevës. Kush dëshiron të flas për ndarje, nuk ulet me mua në tavolinë. Kush dëshiron të flas për Asociacion apo Ahtisaari +, nuk ulet me mua në tavolinë. Prandaj, unë jam për korrigjim historik, se Presheva, Medvegja dhe Bujanoci duhet të jenë me Kosovën. Kaq. Unë besoj se do të bind edhe faktorin ndërkombëtar të mbështesë këtë projekt. Ne në tavolinë me Serbinë ulemi si dy vende të barabarta”, i është përgjigjur Thaçi, duke shtuar se korrigjime kanë ndodhur dhe nuk do të ndodhin për herë të parë në botë në rastin e Kosovës dhe Serbisë.

“Korrigjimi ka ndodhur edhe në Sllovaki dhe në Republikën Çeke. Ka ndodhur edhe në Holandë e Belgjikë, dy vjet më parë”, ka thënë Thaçi, sipas të të cilit, Serbia nuk e njeh Kosovën pa dialog, pa negociata dhe pa marrëveshje.

Kushdo që mendon se vetëm Serbia fiton nga dialogu, kjo është më tepër se naive sipas presidentit Thaçi, madje është edhe e rrezikshme, sepse përhap dezinformatë dhe opinion të rremë tek njerëzit.

“I besoj këtij procesi, i besoj korrigjimit të kufirit dhe pothuajse jam i bindur se do të ndodhë, pavarësisht zërave të shkëputur dhe të izoluar, nëse SHBA dhe BE vazhdojnë të jenë unik në këtë qëndrim dhe natyrisht, nëse shkon sipas planit. Në asnjë rrethanë dhe me asnjë çmim, në asnjë kohë dhe në asnjë formë, as Ujmani, as veriu i Mitrovicës dhe as Trepça, në asnjë rrethanë nuk do të kontestohen, në kuptimin se a janë apo nuk janë të Kosovës. Të gjitha këto janë dezinformata. Ato janë asete të Kosovës, janë territor i Kosovës, por Presheva, Medvegja e Bujanoci do t’i bashkohen Kosovës. Ky është qëndrimi im. Kush flet për ndarje të mos flas me mua, janë ide të rreme. Kush flet për shkëmbim, të mos flas për Hashim Thaçin. Janë ide të njerëzve të rrejshëm për të krijuar konfuzion në opinionin publik, në Kosovë edhe në Shqipëri”, ka thënë Thaçi.


Thaçi: S’mund t’i pyesim të gjithë për marrëveshjen me Serbinë

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka marrë pjesë në një debat me Sokol Ballën dhe analistët në emisionin “Real Story” të Vizion Plusit.

Ndër të tjera ai duke folur për marrëveshjen finale me Serbinë, ka thënë se është i vetëdijshëm se nuk mund të marr pajtimin e të gjithëve për këtë. Lidhur me këtë ai ka krahasuar edhe marrëveshjen e Greqisë me Maqedoninë për emrin, marrëveshje për të cilën ka thënë se nuk është se pajtohen të gjithë grekët apo maqedonasit, por sipas tij të dy liderët kanë marr një vendim të guximshëm dhe historik.

Presidenti Thaçi ka thënë se tani jemi në një fazë të status quo-së, edhe në rrafshin kombëtar, por edhe në atë ndërkombëtar dhe Kosova ka nevojë për një lëvizje më të shpejt, më substanciale, në veçanti atë të konsolidimit në rrafshin ndërkombëtar, për t’u reflektuar dhe në aspektin e brendshëm.

Ai ka thënë se e gjithë bota e di se problematika Kosovë-Serbi është e mbyllur në kuptimin e luftës, por si konflikt i ngrirë ekziston dhe nuk është e mjaftueshme, për bindjen time, që në Kosovë të jemi vetëm të lirë dhe të pavarur.

“Ne mund ta përmbyllim misionin tonë kur ta jetësojmë edhe objektivin tonë të tretë. Pra, lirinë e kemi fituar, pavarësinë e kemi, por tani duhet ta anëtarësojmë vendin në NATO dhe në BE. Prandaj, mendoj se një marrëveshje historike mes Kosovës dhe Serbisë, që nënkupton njohjen reciproke është e domosdoshme. Si mund të ndodhë njohja reciproke? Unë nuk besoj se ndonjë lider në Beograd një ditë do të zgjohet në mëngjes dhe do të njohë pavarësinë e Kosovës, por kjo mund të arrihet përmes negociatave serioze, përmes dialogut serioz, përmes një procesi natyrisht të ndjeshëm dhe një kompromisi që do të mund të çonte të dy vendet drejt një situate win-win, që nënkupton njohjen reciproke”, ka thënë ai.

Thaçi ka thënë se ata që mendojnë se nuk është koha për dialog, nuk është koha për negociata, nuk është koha për marrëveshje, po gabojnë dhe sa më shumë që shtyhet kjo marrëveshje, aq më i lartë do të jetë çmimi për ne.

“Pse korrigjim i kufijve? Në takimin që kam zhvilluar me liderët politikë të Luginës së Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit më është theksuar domosdoshmëria e respektimit të referendumit të qytetarëve të këtyre komunave, të mbajtur më 1 dhe 2 mars 1992, dhe diçka e tillë ka ndodhur më herët. I kam takuar këta liderë në zyrën time dhe ata kanë shprehur në mënyrë unike e unanime një dëshirë të tillë, një nevojë të tillë dhe një të drejtë të tillë. Kam kërkuar prej tyre se, nëse ata janë serioz në kërkesën e tyre, ta institucionalizojnë këtë kërkesë tek institucionet e Republikës së Kosovës. Një të drejtë të tillë e mbështes fuqishëm, jo vetëm sonte, por ka kohë që e kam deklaruar dhe e deklaroj çdo ditë, do ta deklaroj edhe më tej dhe kam bindjen se do ta jetësojë”, ka thënë Thaçi.

Presidenti i vendit ka thënë se shpreson se gjatë negociatave, që nuk do të jenë fare të lehta, do të gjejmë një mundësi, do të gjendet një zgjidhje dhe një variant që do të jetë i pranueshëm edhe për autoritetet në Beograd, që vullneti i qytetarëve në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc të jetësohet dhe kjo pjesë t’i bashkëngjitet Republikës së Kosovës.

“Unë si President i Republikës së Kosovës jam kundër ndarjes së Kosovës, jam kundër krijimit të asociacionit me elemente ekzekutive, apo të krijimit të një “Ahtisaari +” siç po theksojnë disa, sepse një gjë e tillë do të nënkuptonte një “Republika Srpska”, që do të nënkuptonte defunksionalizimin e shtetit të Kosovës, por gjithashtu jam edhe kundër shkëmbimit të territoreve. Tani, se kush kërkon dhe çfarë kërkon, unë nuk flas në emër të askujt tjetër, flas vetëm në emrin tim dhe të institucioneve të Republikës së Kosovës. Ndokush mendon se ka qenë një deklaratë e nxituar, spontane, e pamenduar. Unë e them lirisht: ka qenë një deklaratë e mirëmenduar, shumë mirë e studiuar, shumë e analizuar dhe qëndrim i Presidentit të Kosovës, por mund të them edhe i shumicës së politikës së Kosovës”, ka thënë Thaçi.

Sipas tij, çdo proces i vështirë natyrisht që ngërthen në vete një shkundje në opinionin publik, shkundje që për mendimin e tij është e shëndetshme. Por, Thaçi ka thënë se ka pritur më tepër kundër-reagime racionale të bazuara në fakte, jo në mllef, jo në urrejtje, jo në shpifje, jo në denigrime, jo në fyerje. Megjithatë, sipas tij, me kalimin e kohës edhe debati po kanalizohet në rrugë të drejtë.

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë