Loading…

Isa Mustafa reagon: Edhe të dielave të punohet, kosovarët mos të lënë paratë në Shkup e Tiranë

  • 21/02/2020 | 10:29

Isa Mustafa reagon: Edhe të dielave të punohet, kosovarët mos të lënë paratë në Shkup e Tiranë

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa ka reaguar duke thënë se edhe ditëve të diela duhet të punohet dhe mos të mbyllen dyqanet dhe shërbimet e tjera pasi janë në interes të zhvillimit ekonomik, shkruan Gazeta Metro.


Mustafa po thotë se qytetarët e Kosovës duhet të shërbehen edhe të dielave në qytetet e tyre nga bizneset kosovare, e jo të marrin rrugë për në Shkup e Tiranë.

Sipas Mustafës paratë e kosovarëve duhet të shpenzohen në vendin e tyre e jo lihen jashtë territorit të Kosovës, sipas tij shërbimet duhet të ekzistojnë edhe këtë fitë.

Ai ka ftuar Autoritetin e Konkurrencës të shqyrtojë vendimet e disa komunave për të ndaluar punën ditën e diel, në pikëpamje të cenimit të konkurrencës së lirë dhe të ndikimit në sektorin privat.

Reagimi i plotë i Isa Mustafës:

Pse të mos punohet ditëve të diela? Kush ka bërë analiza dhe ka ardhur në përfundim se mbyllja e dyqaneve, shërbimeve, aktiviteteve ekonomike ditën e diel nëpër komuna është në interes të publikut, të punësimit dhe të zhvillimit ekonomik?

Se kjo siguron 8 orë punë në ditë dhe 40 orë në javë?

Mendoj që askush, sepse vështirë është të bashkëjetojë koncepti i ekonomisë së lirë të tregut dhe i promovimit të sektorit privat si promotor i zhvillimit me ndërhyrje arbitrare në treg nga disa komuna, duke e marrë rolin e rregullatorëve ekonomik.

Pse ditëve të diela, qytetarët e Kosovës mund të blejnë dhe të shërbehen në Shkup e në Tiranë por jo në qytetin e tyre dhe nga bizneset kosovare. Pse të dielave paratë tona mund ti shpenzojmë në vendet tjera por jo në Kosovë dhe pse në këtë ditë turistët dhe vizitorët nuk mund të gjejnë shërbime në Kosovë? Ku qëndron arësyeja që për një ditë në javë të ulet kërkesa agregate në treg te ne, me efekt negativ në brutoproduktin vendor dhe në punësim, dhe kjo kërkesë të zhvendoset jashtë Kosove?

Kjo është vështirë të argumentohet me mendje racionale por arësyetohet shumë lehtë me diletantizëm.

Prandaj shoh arësye që Autoriteti i Konkurrencës të shqyrtojë vendimet e disa komunave për të ndaluar punën ditën e diel, në pikëpamje të cenimit të konkurrencës së lirë dhe të ndikimit në sektorin privat.
Do të ishte e rrugës që bizneset të vendosin për ditët që punojnë e nuk punojnë duke e respektuar ligjin dhe orët javore të punës.

Tendenca për rregullim administrativ të ekonomisë dhe të jetës së qytetarëve është recidiv i kohëve të kaluara, si e tillë shkakton deformim të sistemit ekonomik në vendin tonë.///gazetametro.net

Më të fundit
Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë