Loading…

ISEAL promovon 4 botimet e fundit në Prishtinë

  • 23/11/2016 | 23:59

ISEAL promovon 4 botimet e fundit në Prishtinë

Instituti Zviceran i Studimeve Shqiptare (ISEAL), bëri paraqitjen e 4 botimeve më të reja të tij, të enjten, më 17 nëntor 2016, në Bibliotekën Kombëtare “Pjetër Bogdani” në Prishtinë.

Qëllimi i këtij aktiviteti dhe i pranisë së autorëve të librave që u prezantuan ishte diskutimi mbi temën e imazhit në media, të bërësve të opinioneve si dhe ndikimet e tyre në shoqëri.

Veçanërisht në këtë aktivitet u diskutua mbi përfshirjen, shkëmbimin dhe bartjen e përvojave të diasporës në këtë temë.  Gjithashtu, sipas organizatorëve të cilët kanë dërguar një njoftim për media ngjarja u pasua edhe me prezantime të tjera mediale në këtë fushë.

Këto botimet kanë të bëjnë, me pasqyrimin e jetës dhe veprimtarisë së shqiptarëve në Zvicër si dhe ndikimin e ndërsjellë të tyre në jetën zvicerane në raport me mediat dhe shoqërinë zvicerane.

“Imazhi i Shqiptarëve në mediat zvicerane”, “Dallime Identike, Ese mbi përkthimin” dhe “Shqiptarët e moshës së tretë në Zvicër”, janë titujt që janë prezantuar edhe në Prishtinë.

Në njoftim thuhet se autorët e librave, përveç rolit autorial që kanë janë edhe personalitete të rëndësishëme edhe në fusha të ndryshme.

“Gazetari Alain Maillard, kryeredaktori i platformës informative “Dialog Plus” në Zvicër, Kujtim Shabani, historiani dhe zëvendësi në Sekretariatin e Përgjithshëm në Departamentin e Financave dhe Marrëdhënieve me Jashtë në Kantonin Vaud, Olivier Meuëly si dhe drejtori i Institutit ISEAL, njëherësh mësimdhënës në Kolegjin Léon-Michaud në Yverdon të Zvicrës, Driton Kajtazi”, thuhet në njoftim.

Paraqitja e botimeve të fundit të ISEAL-it, nxiti debate e pyetje të shumta nga më të ndryshmet, mbi temën e imazhit të mediave dhe të opinioneve si dhe të ndikimit të tyre në shoqëri.

Se sa kanë arritur mediat të ndërrojnë këndvështrimin negativ për shqiptarët, si dhe ҫka duhet të bëjmë në për ta ndërruar këtë këndvështrim, autori i librave Shabani,  tha se “Përshtypja e pëgjithshme në raport me shqiptarët është jo se kanë ndryshuar imazhin por janë bërë më miqësore.”

Gjithashtu, sa i pëket kërkesës së shqiptarëve për shtetësi zvicerane, Maillard, shtoi se kjo cështje, për Zvicrën ka rëndësi, meqë faktikisht, kërkon një vullnet për integrim.

Në njoftimin për media nga kjo ngjarje theksohet se edhe pse botimet janë në gjuhët frënge dhe gjermane, interesimi për ta patur librin ishte shumë i madh.

Drejtori i ISEAL-it, Driton Kajtazi, tha se Instituti është njohur nga Konfederata Zvicerane në vitin 2008 si Institucion me vlerë publike, duke përjashtuar çdo qëllim përfitimi, i cili poashtu, është Instituti i vetëm i të huajve me një njohje të tillë nga Konfederata zvicërane.

“Gjatë tetë vite pune të vazhdueshme të ISEAL-it, edhe pse nuk ka munguar përkrahja për projekte të ndryshme, gjithnjë duke patur synim në mirëqenie dhe imazh pozitiv të shqiptarëve në Zvicër, megjithatë puna kryesore gjer më tani është rezultat i një pune vullnetare nga themeluesit, nga drejtuesit e këtij Instituti dhe me përkrahjen e Shoqatës së miqëve së ISEAL-it (mbi 180 personalite të ndryshme zvicërane, shqiptare dhe të tjerë e kanë themeluar këtë shoqatë)”, citohet të ketë thënë Kajtazi.

Ai, tha se me institutin ISEAL shqiptarët më nuk janë vetëm objekt i studimeve, por edhe studiues.

Kajtazi, bëri të ditur se këta libra në vitin e ardhshëm do të botohen edhe në gjuhën shqipe./gazetametro.net

Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë