Ish-ambasadori i Kosovës në Bangladesh, Guner Urea, ka reaguar lidhur me raportimin e publikuar më 30 shtator nga Gazeta Metro për një hetim që lidhet me procesimin e aplikimeve për viza në Ambasadën e Kosovës në Dakë gjatë periudhës kur ai ka shërbyer si ambasador.
Në reagimin e tij drejtuar redaksisë, Urea sqaron se është intervistuar nga autoritetet në cilësinë e dëshmitarit, në kuadër të një hetimi të nisur pas një raporti të auditorëve të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës.
Sipas tij, raporti i auditorëve ka evidentuar praktika të gabuara ose të mangëta në procesin e trajtimit të aplikimeve për viza në Ambasadën e Kosovës në Dakë.
“Në kuadër të hetimit të nisur mbi bazën e një raporti nga auditorët e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Republikës së Kosovës me gjetjet që mund të cilësohen si praktikat e gabuara ose të mangëta në procesin e trajtimit të aplikimeve për viza në Ambasadën e Republikës së Kosovës në Dakë, edhe unë jam intervistuar në cilësinë e dëshmitarit.
Një pjesë që është objekt i hetimit i përket periudhës kur unë kam ushtruar detyrën e Ambasadorit të Republikës së Kosovës në Republikën Popullore të Bangladeshit.”, ka deklaruar Urea.
Ai pretendon se në raportin e auditorëve nuk është identifikuar ndonjë veprimtari që do t’i kishte shkaktuar dëm material apo financiar Republikës së Kosovës.
“Në raportin e auditorëve është konstatuar se nuk është identifikuar asnjë veprimtari që do t’i shkaktonte dëme materiale apo financiare ndaj Republikës së Kosovës. Parashikoj që edhe procesi i hetimit të përfundojë me të njëjtin përfundim, megjithëse rezultati përfundimtar do të përcaktohet nga autoritetet kompetente.”, ka thënë ai.
Urea ka shtuar se pret që edhe hetimi të përfundojë me të njëjtin konstatim, megjithëse, siç thekson, përfundimi përfundimtar i takon autoriteteve kompetente./gazetametro.net
Ekskluzive: Krimet Ekonomike po hetojnë vizat nga Bangladeshi, në fokus ish-ambasadori Guner Urea