Ish-ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Meliza Haradinaj-Stublla ka thënë se presidentja, Vjosa Osmani nesër duhet t’a telefonojë menjëherë presidentin e Kroacisë, Zoran Milanovic, pas deklaratave të tij skandaloze për Kosovën, transmeton Gazeta Metro.
Përmes një postimi në Twitter, Haradinaj-Stublla ka thënë se presidentja duhet t’i shpjegojë homologut të saj dallimin mes rrugëtimit të pavarësimit legjitim e legal të Kosovës dhe aneksimit ilegal të Krimesë.
“Presidentja Vjosa Osmani duhet t’a telefonojë menjëherë nesër Presidentit kroat, Zoran Millanoviq për t’ia shpjeguar atij dallimin esencial mes rrugëtimit të pavarësimit legjitim e legal të Kosovës & aneksimit ilegal të Krimesë. Po ashtu edhe me letër zyrtare referuar prononcimit skandaloz të tij”, shkroi ajo.
Pres @VjosaOsmaniPRKS duhet t’a telefonojë menjëherë nesër Pres kroat #Milanovic për t’ia spjeguar atij dallimin esencial mes rrugëtimit të pavarësimit legjitim e legal të Kosovës & aneksimit ilegal të Krimesë. Poashtu edhe me letër zyrtare referuar prononcimit skandaloz të tij!
— Meliza Haradinaj (@MelizaHaradinaj) January 30, 2023
Presidenti kroat, Zoran Milanovic tha sot se “Krimeja nuk do të jetë më Ukrainë”, duke thënë se bashkësia ndërkombëtare tashmë ka krijuar precedent me Kosovën.
“(Kosova) është rrëmbyer nga Serbia. Kosova është marrë nga Serbia, a është kështu? A e kemi njohur Kosovën, po e kemi njohur. Unë jam prapa Kosovës, por pasi kjo është bërë njëherë (aneksimi), pra pa vullnetin e shtetit (Serbisë), të cilës Kosova i ka takuar e kjo ka qenë Serbia, respektivisht Jugosllavia, e cila për ne nuk është shtet mik dhe as që jemi brengosur për ta, ka qenë vetëm çështje kohe se kur Rusia apo dikush tjetër do të bëjë të njëjtën dhe kjo tani po ndodhë”, ka thënë Milanovic. /gazetametro.net