Dëshmitari i fundit Azem Guri ish Kryesuesi i Kuvendit Komunal të Ferizajt është marrë sot në pyetje në procesin gjyqësorë ndaj Faik Graincës i cili është deklaruar se Kuvendi Komunal nuk është marrë me shqyrtimin e peticionit por kjo punë ka qenë e Komisionit të Ankesave, shkruan Gazeta Metro.
Procesi gjyqësor ndaj ish Drejtorit të Urbanizmit Faik Graincës i cili dyshohet se gjatë hartimit të Planit Zhvillimorë Komunal ka keqpërdorur pozitën e tij zyrtare duke falsifikuar nënshkrimet e banorëve se mund të ndërtohet me etazhitet të lartë në zonat e ndaluara për ndërtime të tilla, ka vazhduar edhe sot ku është marrë në pyetje dëshmitari i fundit ish Kryesuesi i Kuvendit Azem Guri.
Pala e dëmtuar Bekim Haliti kishte parashtruar pyetjet për revidimin e planeve rregulluese për zonat 1 dhe 8 në Ferizaj për të cilin dëshmitarit Guri nuk i kujtohej ajo periudhë, gjithashtu sqarime u kërkua edhe për një dokument i cili sipas tij ka katër përmbajtje të ndryshme.
Gjithashtu Haliti pyeti për debatin publik për ndërtime në atë zonë që kishte qenë i paraparë të mbahej për 30 ditë, ndërsa ishte mbajtur 31 ditë, me çka i dëmtuari dyshon se atë ditë ishte dorëzuar peticioni i dytë nga banorët e asaj lagje, e për këtë Azem Guri nuk kishte përgjigje të qartë.
Imri Haliti i dëmtuari i dytë në këtë seancë ka pyetur Azem Gurin se çfarë kishte ndodhur në ditët kur ishte miratuar Plani Zhvillimor Komunal që sipas Halitit mendohej se emri i tij ishte manipuluar pikërisht në ditët e miratimit të PZHK-së.
“Plani Zhvillimorë nuk është votuar shkaku se paraprakisht, një vendim, e ka lëshuar Ministria e Mjedisit dhe Planifikmit Hapsinorë që e pezullon pëlqimin për miratimin e PZHK-së, këtë vendim e kanë pasur të gjithë edhe mediat edhe disa qytetarë, te organet kompetetente, te unë pezullimi i pëlqimit të PZHK-së nuk ka qenë, pastaj ne e kemi shtyer me qëllim që në bazë të infomatës që ma ka dhënë kryetari , kryetari e ka autorizuar Drejtorin e Urbanizmit që të shkojë dhe të bisedojë çka është në pyetje pse është pezulluar ai pëlqim” tha Guri
Guri gjithashtu para trupit gjykues u deklarua se Kuvendi Komunal nuk ka shqyrtuar peticione sepse për shqyrtimin e tyre ka qenë i thirrur komisioni për ankesa.
Deri më tani janë mbajtur mbi 20 seanca gjyqësore në rastin e ish Drejtorit të Urbanizmit ku një e tillë është caktuar të mbahet edhe nesër./gazetametro.net
https://gazetametro.org/ngritet-aktakuze-ndaj-ish-drejtorit-te-urbanizmit-ne-ferizaj/