Besa e Pejës është një ndër skuadrat më të njohura në futbollin kosovar. Megjithatë, për shkak të problemeve financiare gjatë ditës së djeshme u raportua se klubi është në ‘buzë të greminës’, pra mund të shuhet. Në një prononcim për Gazeta Metro ka folur ish-mesfushori i kësaj skuadre, Dugagjin Gashi. Ai u shpreh tejet i mërzitur me situatën, ku është futur klubi i tij i zemrës.
Skuadra e dytë më e trofeshme në Kosovë pas Prishtinës është Besa e Pejës. Sukseset më të mëdha klubi pejan i kishte shënuar gjatë sezoneve 2004/05, 2005/06 dhe 2006/07 derisa ishte shpallur kampion i Superligës së Kosovës tri herë radhazi.
Në këtë gjeneratë të artë të klubit kishte qenë edhe Dugagjin Gashi. Si ‘djalë i qytetit të Pejës’ Gashi për Gazeta Metro deklaroi se ndihet i dëshpëruar me lajmin që ka marrë se si Besa e Pejës ka ardhur deri në këtë gjendje. Ai thotë se duhet të kërkohet llogari nga personat të cilët kanë qenë në udhëheqësi.
”Më dhemb zemra shumë kur e shohë klubin e qytetin në këtë gjendje duke e ditur që ne kemi qenë gjenerata e artë që jemi shpallur tre herë resht kampion. Por, nuk kemi çka të bëjmë ne si ish-lojtari mundemi të krenohemi vetëm me rezultatet që i kemi arritur si klub që e kemi bërë një ndër klubet më të suksesshme në Kosovë. Këtu duhet të lypet llogari tek njerëzit që e kanë udhëheq klubin. Është mëkat që i gjithë ky klub të përfundojë në këtë gjendje,” tha ai.
Më tutje, Gashi u pyet nëse ka biseduar me drejtuesit e klubit pas lajmit që u publikua në mediat kosovare, lidhur me shuarjen e tri herë herë fituesve të Kupës së Kosovës. Ndërsa, tregoi se gjatë viteve të fundit vetëm kishin qenë në dijeni që ditë të mira nuk po vijnë për Besën e Pejës.
”Ne pak a shumë e kemi ditur situatën kur para dy vite u largua nga Superliga dhe ra në lig të dytë. Aty vet të tregon që puna mirë nuk është. Edhe nuk kemi çfarë të kontaktojmë me drejtuesit e klubit vetëm që është për keqardhje dhe të dhemb zemra klubin e zemrës me pa në këtë gjendje. Sa rinia është në Pejë e sa talenti është në këtë vend,” përfundoi ai për Gazeta Metro.
Kujtojmë se Dugagjin Gashi përveç Besës së Pejës ka luajtur edhe për Dukagjinin, Drenicën dhe Istogun. /gazetametro.net