Loading…

Ismail Kadare nderohet me çmimin shkencor “Aleksandër Stipçeviq”

  • 14/10/2020 | 19:28

Ismail Kadare nderohet me çmimin shkencor “Aleksandër Stipçeviq”

Shkrimtari shqiptar me famë botërore, Ismail Kadare është nderuar me çmimin Shkencor Ndërkombëtar “Aleksandër Stipçeviq 2020”.


Me këtë çmim janë nderuar edhe: Akademik Idriz Ajeti (2017), Akademik Myzafer Korkuti (2018) dhe Akademik Rexhep Qosja (2019).

Çmimi prestigjioz Shkencor Ndërkombëtar, që mban emrin e Akademik Aleksandër Stipçeviqit, ilirologut më të shquar shqiptar me famë botërore, i është dorëzuar Ismail Kadaresë më 10 tetor 2020.

Në pritjen e organizuar në Durrës nga shkrimtari Ismail Kadare dhe zonja Helena Kadare, në emër të Kolegjit ‘Iliria’ çmimin e dorëzoi profesori Isak Shema, kryetar i Këshillit Drejtues të Kolegjit.

Shkrimtari Ismail Kadare e ka pranuar Çmimin me kënaqësi dhe është falënderuar për konsideratën dhe vlerësimin e Kolegjit ‘Iliria’.

Kush është Aleksandër Stipçeviq? 

Aleksandër Shandri Stipçeviq është ilirolog, historian dhe letrar arbresho-kroat.
Aleksandër Stipçeviq lindi më 10 tetor 1930 në Arbënesh të Zarës në Kroaci më 1930. Është njëri nga ata bij të arbëreshëve të rrethit të Shkodrës, të cilët treqind vjet më parë u shpërngulën në rrethin e Zarës. Ka studiuar arkeologjinë dhe ka drejtuar një varg institucionesh e projektesh që lidhen me bibliotekat, historinë e librit, botimet enciklopedike etj., deri në Akademinë e Shkencave në Zagreb. Që nga viti 1987 është profesor ordinar në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Zagrebit, ku mban kursin e historisë së librit, sociologjisë së librit dhe bibliografisë. Është autor i një numri të madh veprash për ilirët dhe historinë e librit: Historia e ilirëve, Arti i ilirëve, Simbolet e kultit te Ilirët, Bibliografi për ilirët, Historia e librit, Censura në biblioteka, Interpretime albanologjike etj. Më shumë se dyzetë vjet emri i tij identifikohet me rezultatet më të reja të studimeve ilire. Aleksandër Shandri Stipçeviq vdiq më 31.08.2015.

Historia e “Çmimit Shkencor Ndërkombëtar Aleksandër Stipçeviq” 

Me emërtimin e këtij Çmimi Shkencor Ndërkombëtar nderohet historiani i antikitetit, ilirologu më i shquar i kohës sonë, autori i shumë punimeve dhe i veprave shkencore Akademik Aleksandër Stipçeviq, i cili ka qenë mysafir dhe pjesëmarrës në konferenca shkencore të organizuara nga Kolegji ILIRIA dhe i dekoruar me çmimin Anëtar Nderi i Bordit të Kolegjit.

Duke vlerësuar lart veprimtarinë shkencore dhe kontributin e jashtëzakonshëm të Akademik Aleksandër Stipçeviqit në fushën e studimeve albanologjike dhe posaçërisht në atë të studimeve ilire, pastaj duke spikatur bashkëpunimin e këtij personaliteti të shquar me famë kombëtare, botërore dhe bashkëpunimin e tij me Kolegjin ILIRIA, si dhe me pëlqimin e familjes së Aleksandër Stipçeviq, u themelua edhe Çmimi shkencor ndërkombëtar “Aleksandër Stipçeviq”, i cili ndahet çdo vit në datë 10 tetor, që përkon me ditëlindjen e tij në Arbënesh të Zarës.

Çmimi Shkencor Ndërkombëtar “Aleksandër Stipçeviq”, duke u mbështetur në Rregulloren e Çmimit shkencor dhe në bazë të vlerësimit, të zgjedhjes dhe të vendimit të Jurisë profesionale, i dedikohet personaliteteve të shquara akademike – universitare, për kontribut të madh me vlerë arsimore, kulturore dhe shkencore, për botime, për projekte dhe për arritje të shquara në fusha të ndryshme të kërkimit profesional shkencor.

Kolegji ILIRIA në vitin 2017, realizoi edicionin e parë të Çmimit Shkencor Ndërkombëtar “Aleksandër Stipçeviq”. Përmes një ceremonie solemne çmimi i është dhënë Akademik Idriz Ajetit, për arritje të shquara akademike – universitare shumëvjeçare në fushën e studimeve albanologjike.

Më të fundit
Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë