Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit këtë herë ka organizuar një aktivitet më ndryshe nga të tjerët. Të rinjtë e Klubit të Librit të Kavajës patën mundësinë të takohen me Ismail Kadarenë, shkrimtarin tonë të madh, shkruan Gazeta Metro.
I shoqëruar nga gruaja e tij, Helena Kadare, ai iu përgjigj pyetjeve të të rinjve për librat që ka shkruar, raportin me shkrimin dhe gjuhën. Ky takim për të folur mbi letërsinë me një shkrimtar të kalibrit të Kadaresë, është mbajtur me qëllim stimulimin e klubeve të leximit. Në njoftimin e QKLL-së për mbajtjen e këtij aktiviteti, thuhet që “Rijetëzimi i klubeve të leximit në rrethe është një prioritet i QKLL-së, për të nxitur leximin dhe për të afruar sa më shumë të rinjtë drejt librit.”
Aktiviteti u zhvillua nën kujdesin e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit dhe Bashkisë së Kavajës, në prag të 85-vjetorit të lindjes së Kadaresë. GazetaMetro