Loading…

‘Ismail Qemali’ nuk shkel në derë të Jasharajve

  • 18/02/2017 | 13:40

‘Ismail Qemali’ nuk shkel në derë të Jasharajve

Bilall dhe Ragip Jashari janë dy prej njerëzve që nuk ju ndanë komandantit Adem Jashari, as në luftën e 5,6 dhe 7 marsit të vitit 1998.


Ata ishin gjendur përkrah Adem Jasharit dhe familjes Jashari derisa kishin rënë të gjithë në betejën e madhe, e cila ndryshoi rrjedhat e historisë. Ata kishin arritur të largohen nga kulla e shkatërruar nga bombat, mortajat dhe topat e ushtrisë serbe. “Kemi arritur të dalim nga rrethi, Halili e Sherifi u vranë në dorë tonë, duke u larguar.

Komandantë e bashkëluftëtarë e lanë Ademin vetëm, nuk i ndihmuan, bile kur kemi dalë prej rrethi i kemi gjetur të shtrirë në pjesën e epërme të Prekazit, disa sish edhe bënin hajgare me neve”, thotë Ragipi. Sipas tij, për nëntë vjet pavarësi nuk ka ndodhur asgjë e mirë në Kosovë.

Ragipi e Bilalli, por as Jasharët e tjerë nuk flasin shumë për Hashim Thaçin, të paktën nuk e përmendin emrin e tij kur bëhet fjalë për raportet në mes të tij dhe të familjes së komandantit legjendar të UÇK-së, Adem Jashari. “Ne nuk dimë çka kanë ata në mes vete, por është shumë keq që një njeri i cili pretendon se ka shpallur pavarësinë e Kosovës, një njeri që sa herë vjen të bëjë homazhe tek varri i komandantit Adem Jasharit, thotë se vjen atje për të marrë forcë dhe fuqi për të punuar për ndërtimin e shtetit, nuk kthehet në kullë, shkruan “Zeri.info”.

Më përpara kurrë nuk ua ka lëshu derën”, thotë Ragipi. Njëjtë sikurse Ragipi thonë edhe Jasharët e tjerë, të cilët me ironi e quajnë Thaçin “Ismail Qemali” i Kosovës. “Kështu e kanë quajt në Ulqin, kryetari i Ulqinit ia ka dhënë një dekoratë edhe e ka quajt “Ismail Qemali i Kosovës’”, thotë njëri prej Jasharëve që nuk dëshiron t’i përmendet emri në gazetë.

Nuk ka pajtim me serbët pa e marrë miratimin e Jasharëve

Jasharët ndihen të pezmatuar në Hashim Thaçin edhe për vendimin e tij për ta formuar  komisionin për pajtim me Serbinë, duke e cilësuar të papranueshëm dhe krejtësisht të parealizueshëm. Bilall Jashari thotë se Hashim Thaçi dhe kushdo tjetër që përpiqet të bëjë diçka për t’u pajtuar me serbët apo edhe për t’i falur serbët duhet një herë të vijë në Prekaz, aty tek Jasharët dhe të kërkojë miratimin e Jasharëve, nëse ata do të pajtoheshin me diçka të tillë.

“Nuk mund të flasin për pajtim me serbët dhe Serbinë ata që nuk e kanë humbur në luftë as edhe një pulë. Nuk mund të flasin për pajtim ata që familjet e tyre i kanë ikur nga Kosova dhe i kanë siguru jashtë. Ne këtu kemi dhënë 56 anëtarë të familjeve tona, është derdhur shumë gjak, lirisë së Kosovës ia kanë dhënë djemtë dhe bijat më të mira edhe shumë familje të tjera. Këto familje janë të vetmet që duhet të flasin për pajtimin, nëse vërtet ka vend dhe janë krijuar kushte për t’u pajtuar me serbët. Si Jashar ne konsiderojmë se të paktën këtu, ata që pretendojnë të pajtohen me serbët dhe me Serbinë, duhet të vijnë paraprakisht në Prekaz dhe të flasin me ne. Nuk mund të bëjnë ata asgjë pa ne dhe pa ata që kanë sakrifikuar familje të tëra për lirinë e Kosovës”, thotë Bilalli.

Sipas tij, kjo formë që ka zgjedhur Hashim Thaçi për “t’u larë dhe për t’u treguar para ndërkombëtarëve” nuk do të kalojë, sepse me idenë e tij nuk pajtohet askush. “Pajtohen vetëm ata që nuk kanë humbur asgjë në luftë dhe kanë përfituar tani paslufte”, thotë mes tjerash Bilall Jashari, njëri prej luftëtarëve më të afërt të komandantit Adem Jashari.

 

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë