Loading…

Istitucionet kosovare e refuzuan: Artisti hap ekspozitë në Vjenë

  • 04/05/2019 | 10:56

Istitucionet kosovare e refuzuan: Artisti hap ekspozitë në Vjenë

Prezantimi i vlerave kulturore dhe artistike të Kosovës nëpër botë, ka bërë që vendi ynë të afirmohet në shumë vende të botës. Këngëtarë të ndryshëm nëpër vendet e Evropës kanë bërë bujë të madhe në fushën e muzikës, pa harruar origjinën e tyre, por disa të tjerë nuk po marrin mbështetjen e duhur nga institucionet e vendit.


Ndonëse Kosova nuk është se njihet si një vend i kompozimit të operave, një vepër operë e një kompozitori nga Kosova është përzgjedhur për t’u dhënë premierë në Vjenë. Është kjo vepra e kompozitorit, Trimor Dhomi, të cilën institucionet e Kosovës ia kishin refuzuar.

Në një intervistë për Telegrafin, Dhomi, ka folur për përzgjedhjen e veprës së tij nga juria në Vjenë.

“Në festivalin ku kam aplikuar është ‘Vjena summer music festival’, është festival i cili përmbanë dy gara, është edhe për vokalista dhe kompozitor të cilët bashkohen. Procesi i përzgjedhjes është si në çdo garë, është një juri, ku shumica e anëtarëve të jurisë janë pjesëtar të shtëpisë së operës shtetërore të Vjenës. Shumica e tyre do të jenë edhe pjesë e orkestrit. Unë kam aplikuar në tetor të vitit të kaluar, ndërsa mbas tre muajsh më kanë kthyer përgjigje. Unë kam menduar që nuk ka kaluar, por për kërshëndella kam marr telefonatë, ata më kanë treguar se jo zyrtarisht jam përzgjedhur. Kjo pasi që ata kanë dëgjuar vepra të mija të mëhershme, dhe një copëzs të operës që ua kam dërguar”, ka thënë ai.

Dhomi ka treguar se nga ku ishte frymëzuar për krijimin e operës së tij.

“Frymëzimi lidhet me kohën e vështirë, përvojën e keqe që kemi pasur si popull në vitin ’99, si refugjatë. Por burimi i inspirimit për operën direkt, lidhet me refugjatët sirian dhe aktual, vitet që janë duke jetuar në Jordan në kampin më të madh. Në ëeb faqet humanitare të cilat iu ndihmojnë, kam hyrë dhe kam parë shumë rrëfime të tyre. Ajo çka më ka lënë përshtypje janë dy fëmijë rreth moshës 8 deri 9 vjet, të cilët kishin humbur familjarët e tyre. Kështu ata kishin filluar të shoqëroheshin me njëri tjetrin pavarësisht humbjes së madhe të të gjithë anëtarëve. Por, fytyra e tyre e buzëqeshur është forca më e madhe që mundesh me pa”, është shprehur ai.

Pas rrëfimit që kishte lexuar për këta fëmijë, Dhomi, kishte mbetur i habitur, madje ai rrëfim e kishte prekur mjaft shumë. Ai ka treguar se si pasojë e kësaj i kishte ardhur dëshira që të shkoj vullnetar në kamp.

“Unë mbeta peng i natyrës së tyre, dhe më shkoi mendja menjëherë të shkoj në kamp, duke harruar që kam familje. Por për fat aty e pash një katror në ëeb faqe ku njerëzit që duan të dhurojnë donacion t’iu ndihmojnë, mund ta bëjnë sipas mundësive. Fillova me mbush shumë shpejt formularin dhe e shkrova edhe numrin e kartelës së bankës. Kur preka pullën e fundit për ta ekzekutuar donacionin më doli error, për shkak që Kosova nuk njihej nga ai sistem bankar”, ka treguar ai.

Edhe pas disa provave për të dhënë donacion për ata fëmijë, Dhomi, nuk kishte mundur ta bënte ketë, andaj ai ishte mllefosur mjaft shumë nga kjo gjë. Për këtë arsye kishte filluar të shkruante diçka i frymëzuar nga historia e tyre.

“Fillova të shkruaj tekst jo që jam poet, por thjesht kam shkruajtur diçka. Doli diçka që mua mu duk e mirë dhe mu lirua dora që ishte e lidhur edhe me zemrën. Më shkoi mendja ta bëjë një këngë, por e pash që është diçka më e madhe, e që më erdhi ideja për operë, që e kam pasur ëndërr . U përfundua Opera dhe shumë me gëzim kam aplikuar në njërën ndër thirrjet që i bënë Ministria e Kulturës çdo vit për kompozitor për vepra të ndryshme. Duke e ditur që nuk kemi operë me dekada, unë kam thënë që kur ta dërgoj ata do të gëzohen. Por lëre që nuk u pranua, mirëpo nuk kam pasur asnjë lajm, përveç që kam marr komente të ulëta, ofenduese në rrugë nga komisioni, për veprën e që s’kishin të bëjnë aspak me temën e operës”, është shprehur ai.

Ndër të tjera ai ka thënë se aplikimi për Vjenë nuk ishte edhe i lehtë, por që siç ka thënë Dhomi, kishte pritur që edhe t’i refuzohej.

“Nuk ka qenë e lehtë të aplikoj, ishte shumë e vështirë të merret guxim që të aplikojë në një vend si Vjena, në një festival si ai. Thash se në Kosovë mora një shuplak, e atje mund t’i marr dy, por shuplakat e Vjenës thosha se janë të sinqerta, sepse janë në bazë të kritikës, nuk janë për arsye të ulëta. Andaj pasi mora lajmin se jam përzgjedhur, kuptova se veprat që bëhen nga ne janë me standarde të mira, kur bëhen me profesionalizëm”, theksoi ai.

Por, pavarësisht që ishte përzgjedhur në një vend si Vjena që ta shfaqte premier veprën e tij, dëshira e Dhomit, ishte që së pari ta shfaqte në Kosovë.

“Unë kam pasur shumë dëshirë këtu ta shfaqja, sepse kishte me dalë që kosovarët krijuan një operë për refugjatët aktual sirian, do të kishte shumë bujë për procesin ku gjendemi politikisht. Kjo do të ishte shfrytëzim i mirë prej një vepre që është bërë me zemër. Premiera në Vjenë do të mbahet nga fundi i muajit qershor. Ende nuk është caktuar data pasi që unë nuk kam mundur të udhëtoj e që kam pasur nga data 5 maj të jem atje. E gjithë kjo për shkak të problemit të famshëm me viza qe ne e kemi, dhe caktimit të termineve, kështu është dashur ta shtyej deri më 25 maj kur do të shkoj”, ka thënë ai.

Në fund, ai ka thënë edhe një mesazh për të rinj, duke iu thënë atyre që të vazhdojnë të ndjekin atë që duan të bëjnë, pavarësisht që sipas tij ndoshta do të iu duhet që ta provjnë edhe zhgënjimin.

Më të fundit
Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +386 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë