Loading…

Italia ende pa president të ri

  • 25/01/2022 | 23:08

Italia ende pa president të ri

Ligjvënësit italianë dështuan sot, për të dytën ditë radhazi, në zgjedhjen e kreut të ri të shtetit, pasi propozimet konservatore u refuzuan nga qendra e majtë dhe liderët e partive po bëjnë përpjekje të mëtejshme për të gjetur një kandidat me të cilin të arrihet një konsensus.


Pas një votimi të pasuksesshëm të hënën, shumica e ligjvënësve dorëzuan sërish fletëvotimet bosh sot, një mënyrë për të zgjatur procedurën ndërsa udhëheqësit e tyre vendosin se çfarë të bëjnë, raporton Reuters.

Edhe pse kryeministri Mario Draghi është ende favorit, shqetësimet se promovimi i tij në president mund të çojë në rënien e qeverisë së koalicionit të tij dhe nisjen e zgjedhjeve të parakohshme kombëtare kanë mjegulluar perspektivat e tij, sipas agjencisë britanike.

Pas disa ditësh takimesh konsultative, partitë e qendrës së djathtë, Liga, Brothers of Italy dhe Forza Italia, dolën sot me emrat e ish-presidentit të Senatit Marcello Pere, ish-ministrit të Arsimit dhe kryebashkiakut të Milanos Leticia Moratti dhe Carlo Nordi, një gjyqtar në pension si kandidatë të mundshëm.

Blloku i qendrës së majtë u përgjigj shpejt se kandidatët e propozuar ishin të papranueshëm dhe bëri thirrje për bisedime me qendrën e djathtë të mërkurën për të zgjidhur mosmarrëveshjen, e cila rrezikon të destabilizojë Italinë ndërsa lufton për të kapërcyer krizën COVID-19 dhe për të rindërtuar ekonominë e saj të lëkundur.

“Propozimi ynë është të mbyllemi në dhomë dhe të hedhim çelësat, vetëm me bukë dhe ujë, derisa të arrijmë një zgjidhje përfundimtare”, tha Enrico Leta, kreu i Partisë Demokratike (PD) në pushtet.

Rreth 1.000 anëtarë të dy dhomave të parlamentit – Dhoma e Përfaqësuesve dhe Senati – dhe përfaqësues të rajoneve dhe provincave autonome filluan votimin të hënën pasdite për zgjedhjen e pasuesit të Sergio Matarella dhe fituesit të votimit të fshehtë i nevojiten dy të tretat shumicë në çdo tri raunde.

Votimi përsëritet derisa njëri prej kandidatëve të marrë votat e mjaftueshme.

Qendra e djathtë ka më shumë votues se blloku i qendrës së majtë, por asnjëra palë nuk ka vota të mjaftueshme për të votuar për kandidatin e vet, që do të thotë se do të nevojitet një kompromis.

Kryeministri aktual Mario Draghi konsiderohet favorit, dhe në mesin e atyre që konsiderohen kandidatë të mundshëm janë ish-kryetari i Dhomës së Ulët të Parlamentit Pierre Ferdinando Cassini, ish-kryeministri Giuliano Amato dhe presidentja e Senatit Maria Elisabeta Alberti Casellati.

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë