Qeveria italiane ka nënshkruar një dekret të ri që pranon 30 mijë vende pune për emigrantët.
Megjithëse thuajse të gjitha vendet vakante u përkasin punëve sezonale dhe u ofrohen të huajve që janë në Itali me leje qëndrimi.
Por, dekreti nuk parashikon vende pune për emigrantët e rinj, vetëm për të huajt që jetojnë tashmë në Itali.
Në përgjithësi, dekreti vë në dispozicion 30.850 kuota, të ndara si në vijim:
17.000 hyrje për punonjës sezonalë për sektorin bujqësor dhe turistik (2.000 nga këto u rezervohen autorizimeve shumëvjeçare). Punonjësit mund të jenë nga Shqipëria, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia por edhe Bosnje-Hercegovina, Bregu i Fildishtë, Algjeria, Egjipti, Etiopia, Filipine, Gambia, Gana, India, Japonia, Korea e Jugut, Maroku, Mauricius, Moldavia, Nigeri, Nigeria, Pakistani, Senegali, Serbia, Sri Lanka, Sudani, Ukraina dhe Tunizia. Shtetësia nuk ka rëndësi për ata që kanë qenë këtu si sezonalë gjatë viteve të shkuara.
500 hyrje për punonjës të huaj jo-sezonalë që kanë përfunduar programe formimi dhe shkollimi në vendlindje sipas nenit 23 të tekstit unik për imigracionin;
100 punonjës të pavarur apo të varur jo-sezonale me origjinë italiane (pasardhës deri të shkallës së tretë) rezidentë në Argjentinë, Uruguaj, Venezuelë dhe Brazil;
2.400 hyrje për punonjës të pavarur
Konvertime
Autorizohet konvertimi në leje qëndrimi për punë të varur i:
5.750 leje qëndrimeve për punë sezonale;
4.000 leje qëndrimeve për studime, praktikë pune dhe/ose formim profesional;
500 leje qëndrimeve BE për qëndrues afatgjatë të lëshuar nga vende të tjera europiane;
Parashikohen gjithashtu edhe konvertime në leje qëndrime për punë të pavarur të:
500 leje qëndrimeve për studime, praktikë pune dhe/ose formim profesional;
100 leje qëndrimeve BE për qëndrues afatgjatë të lëshuar nga vende të tjera europiane.
Edhe këtë vit kërkesat e punësimit dhe të konvertimit të lejeve të qëndrimit do të paraqiten online. Por më parë duhet pritur botimi në Gazetën Zyrtare të dekretit dhe udhëzimet e ministrive të Brendshme dhe të Punës që do të gjeni menjëherë edhe te Shqiptari i Italisë.