Udhëheqësi i iniciativës qytetares serbe SDP, Oliver Ivanoviq, ka thënë se beson që Gjykata e Apelit në Prishtinë nesër do ta sjellë “vendimin e drejtë” për lirimin e tij.
Ai këtë e ka bërë të ditur në një intervistë për gazetën serbe “Politika”.
“Shën Sava mund të jetë një ditë e madhe për t’i dhënë fund torturës time, por unë nuk jam i sigurt se do të ndodhë me të vërtetë. Unë kam mësuar të pres dhe të jem i durueshëm “, ka thënë Ivanoviq ndër tjerash, transmeton gazetametro.net.
Tutje, sipas tij, gjykata shpesh prish afate për marrjen e vendimeve, me arsyetimin se rasti ishte “i rëndë dhe i komplikuar.”
I pyetur nëse kishte frikë se vendimi i Apelit mund të jetë ndryshe nga ajo liruese ai u shpreh se nuk ka dyshim në ndershmërinë dhe profesionalizmin e gjyqtarëve të EULEX-it, si dhe gjyqtarit të tretë i cili është shqiptar.
Ndryshe, politikani serb akuzohet për vrasjet e shqiptarëve në prill të vitit 1999 në jug të Mitrovicës, si dhe për vrasje të shqiptarëve në shkurt të vitit 2000 në veri. /gazetametro.net.