Kandidati për Kryeministër nga Lëvizja Vetëvendosje, Albin Kurti është deklaruar mbi bindjet e tij në njohjen e simboleve shtetërore të Kosovës.
Kurti në një intervistë për emisionin “Jeta në Kosovë”, tha se i njeh dhe i ka njohur simbolet shtetërore por për të ato janë simbole pa substancë.
“Është bërë shumë kritikë e sulm për Vetëvendosjen, për mua kjo është dëshmi se nuk mund të na sulmojnë më diku tjetër dhe ne jemi më shumë për substancën se sa për sipërfaqen e simbolet e le të themi ambalazhin. Është kompensim psikologjik i shumë qytetarëve tanë, unë e kuptoj që duan të përqendrohen tek simbolet kur na ka humbur substanca, le ti kthehemi substancës. Aty e kam gjetur flamurin e Kosovës, ne e pranojmë si stemë në universitete, asnjëherë nuk e kemi dëmtuar apo cënuar flamurin e Kosovës”, tha Kurti.
Ai gjithashtu bëri thirrje që të largohet mendësia që sipas tij rrit simbolet si një kompensim psikologjik për mungesën e substancës së shtetit.
“Si kryetar i komisionit parlamentar për punë të jashtme e kam pasur në tavolinë flamurin e Kosovës nuk e kam hequr asnjëherë por aman çlirohuni këtij kompensimi psikologjik që e zëvendëson mungesën e substancës me njëfarë inflacioni të simboleve”, tha Kurti.
Bartësi i listës së Lëvizjes Vetëvendosje gjithashtu theksoi që do të mbajnë raporte të mira me ndërkombëtarët por sipas tij duke i ikur servilitetit.
“Vevetëvendosje do t’i ngritë bashkëpunimet me faktorët ndërkombëtarë me një rang të ri, me ç’rast nuk do të ketë kurrë armiqësi po as servilitet”, deklaroi Kurti.