Gara për kryetar të Komunës së Ferizajt pritet të jetë e nxehtë në zgjedhjet e ardhshme lokale sidomos ndërmjet kandidatëve të LDK-së dhe PDK-së.
Ndonëse ende nuk është bërë zyrtare asgjë kryetari i tanishëm i kësaj komunë Muharrem Sfarça, do të rikandidohet në këtë post, ndërkaq sipas burimeve të Indeksonline kandidati nga radhët e PDK-së, prite të jetë Agim Aliu i cili gjithashtu është edhe kryetar i kësaj dege.
Ndërkaq me kandidat të përbashkët në këto zgjedhje pritet të hyjnë AAK-ja dhe NISMA për Kosovën.
AKR-ja tani veç se e ka bërë publike kandidatin për kryetar i cili është Labinot Tahiri, më të cilin kjo parti synon të bëjë ndryshime në këtë komunë.
Pas tentimit për të kontaktuar Kryetarin Sfarça, ky i fundit nuk ka treguar gatishmëri për folur rreth kësaj çështje.
Ndërsa vetë Agim Aliu njëherit edhe kryetar i degës së PDK-së, për Ferizajn nuk e ka mohuar e as pohuar se mund të jetë kandidati kryesor.
Ai ka thënë për Indeksonline se ende nuk ka asgjë zyrtare në lidhje me këtë propozim, nga selia qendrore e PDK-së.
“Ende nuk e kemi hapur këtë debat për kandidatin e Komunës së Ferizajt. Normal tani e tutje do të hapet ky debat pasi të marrim sinjalet nga selia qendrore e Partisë Demokratike. Ende askund nuk është vendosur për kandidaturat në nivel të degëve të PDK-së.
Unë kam qenë Kryetar i Ferizajt dhe jam aktualisht kryetar i degës së PDK-së, pra një lloj inercioni do ta nënkuptonte këtë, por që ende nuk ka debat për këtë çështje”, ka thënë Aliu, shkruan Indeksonline.
Sipas tij zgjedhjet e ardhshme lokale do të japin një kryetar të ri në Komunën e Ferizajt, duke aluduar në kandidatin e ardhshëm të PDK-së.
“Jo pse është dëshirë e partisë Demokratike për të marrë pushtetin por më shumë është vullnet i qytetarëve të Komunës së Ferizajt, për shkak të pakënaqësive që kanë më qeverisjen e tanishme”, ka thënë Aliu.