Loading…

Ja se çfarë duhet të presim nga Albin Kurti si kryeministër

  • 08/01/2021 | 23:02

Ja se çfarë duhet të presim nga Albin Kurti si kryeministër

Kohëve të fundit thuhen dhe shkruhen shumë gjëra për Albin Kurtin. Në masë të madhe vlerësimet të cilat prezantohen, paraqesin skajshmëritë. Ata që e duan dhe iu është mërzitur shpirtin me këtë sistem të degraduar vlerash e shohin si shpëtimtar, e të tjerë të cilët kanë mësuar të notojnë në këtë moçal, e cilësojnë si të rrezikshëm.

Ka ditë që pres një vlerësim më racional, nga kushdo qoftë. Por, me gjasë në kohë fushate, një pritshmëri e tillë është iluzionare. Veçanërisht kur bëhet fjalë për një figurë që të gjitha i arriti vet, hap pas hapi, mundimshëm. Krahasuar me oponentët e tij politik që në politikë iu shtrua tepihu i kuq dhe sot janë në krye te garës pse shefat e tyre kanë vendosur ashtu.

Por, të kthehemi te Albin Kurti, njeriun që e kam njohur 14-15 vite më parë dhe me të cilin kam disa takime interesante ku çdoherë thuajse kam mësuar diçka të re. Por, ato janë një rrëfim tjetër!

Këtyre që presin “mrekulli” nga Qeveria Kurti, duhet thënë troç: Mos të ushqejnë iluzione. Gjithë këto vite degradim, thuajse në secilin segment, kërkojnë kohë për ta rikthyer në normalitet. Figura e Albinit është shembull i përkryer se një gjë e tillë është e mundur. Jo duke pasur pushtet absolut, jo duke zgjatur qeverisja e tij me dekada ashtu siç frikësohen kundërshtarët e tij, por duke e forcuar ligjin, shëndetësinë dhe arsimin.

Pra, Albini është një përthyerje e ndërgjegjes kolektive të fjetur. Është zgjim i mllefit për t’i dalë zot vendit kur copëtohet nga harbutët politik. Është një mendje që vë në bashkëveprim njerëzit profesionistë dhe vullnet mirë. Është një dorë e zgjatur për rininë që nuk sheh rrugë tjetër pos ikjes nga ky vend. Është një shembull se mund të jetohet ndershëm dhe me dinjitet edhe atëherë kur fuqia politike arrinë në zenit. Pra, duke qenë Albini në krye të shtetit, ne do mësojmë të ecim më përtoke. Do të ëndërrojmë më pak, do të punojmë dhe shpresojmë më shumë.

Ndërsa, ata që mundohen me paragjykime ta mjegullojnë figurën e tij, herë duke e shpallë të rrezikshëm, herë diktator në kërkim të pushtetit absolut, duhet rikujtuar faktin se Albini mund të ishte në pushtet kur të donte. Siç ishin të gjithë me radhë pa kurrfarë kriteri dhe standardi. Albini mund ta mbante pushtetin fare lehtë duke “ngopur” apetitet e LDK-së. Por, ai dëshmoi se më shumë se pushtetin e don shtetin. Dhe, ata skeptikë që frikësohen nga ardhja e Albinit në pushtet, deri diku kanë të drejtë sidomos kur dihet se si e rrjepen me themel këta që ishin në krye deri tani. Atyre u është shembur besimi se mund të vie në krye të vendit një njeri që e trajton shtetin si shtëpi të vet: E ndërton, por nuk e keqpërdoron. Të respekton, por nuk lejon ta nënçmosh… shembuj të tillë ka dëshmuar vetë Albini me dhjetra herë.

Përfundimisht, ata që duhen frikësuar janë hajnat, zhvatësit dhe kapësit e shtetit. Ata që u pasuruan pandershëm dhe jashtëligjshëm në kurriz të popullit. Nëse je një prej të tillëve, atëherë ke të drejtë të frikësohesh nga ardhja e Albinit në pushtet. Ai paralelisht me ndërtimin e shtetit, e ka edhe sëpatën në dorë për t’ua këputur kthetrat të korruptuarve. Jo vetë, por bashkë me të gjithë ata që mezi e kanë pritur këtë ditë. Dhe, pasi që kjo të ketë ndodhur ne nuk do të kemi nevojë ta “mitizojmë” një Albin ngaqë kjo vetëdije do të shtrihet kudo, do të vendoset një standard i ri mbi themelet e së cilit do të rilind ky shtet.

Shkruar nga: Xhevdet Pozhari

Më të fundit
Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë