Loading…

Jakup Krasniqi ka një paralajmërim në lidhje me Asociacionin

  • 11/04/2018 | 10:52

Jakup Krasniqi ka një paralajmërim në lidhje me Asociacionin

Ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës dhe tanimë kryetar i Këshillit Kombëtar të partisë NISMA, Jakup Krasniqi, ka reaguar në lidhje me deklaratat e kohëve të fundit të Serbisë për sa i përket Asociacionit.


Sipas tij, reagimet e Beogradit dëshmojnë se Serbia po kërkon hise të madhe në Kosovë.

“Reagimet që vijnë nga Beogradi, e sidomos nga Kryetari i Serbisë Vuçiqi, është më shumë se e qartë se politika zyrtare serbe është duke kërkuar hise më të madhe në Kosovë, pra ata nuk e kanë hallin për të drejtat dhe liritë e avancuara të qytetarëve serbe në Kosovë, ata po duan: Republikë serbe ose ndarje të Kosovës. Prandaj Vuçiqi i reagon Brukselit duke i thënë: “Le të na tregojë BE-ja se ku thotë në marrëveshje që duhet të formohet sipas ligjeve në Kosovë”, ka shkruar ai.

Publikimi i plotë i Krasniqit:

Përplasjet Bruksel- Beograd për asociacionin

Beogradin e ka shqetësuar shumë deklarata e Kocijançiçit për asociacionin e komunave një etnike serbe në Kosovë, “se asociacioni duhet të formohet vetëm sipas ligjeve të Kosovës”. Natyrisht që zëdhënësja e BE-së ka mundur të thotë edhe sipas Kartës Evropiane për Decentralizimin e Pushtetit Vendor dhe Dokumentit Gjithëpërfshirës për Zgjedhjen e Statusit përfundimtar të Kosovës, të njohur edhe si dokumenti i Ahtisarit. Një e vërtetë e madhe është se, komunitetit serbe ka të drejta më të avancuara në Kushtetutën e Kosovës se çdo komunitet tjetër në kontinentin tonë (Evropën). Gjuha serbe është gjuhë zyrtare, kanë autonomi goxha të madhe në siguri, drejtësi, arsim, shëndetësi etj.

Reagimet që vijnë nga Beogradi, e sidomos nga Kryetari i Serbisë Vuçiqi, është më shumë se e qartë se politika zyrtare serbe është duke kërkuar hise më të madhe në Kosovë, pra ata nuk e kanë hallin për të drejtat dhe liritë e avancuara të qytetarëve serbe në Kosovë, ata po duan: Republikë serbe ose ndarje të Kosovës. Prandaj Vuçiqi i reagon Brukselit duke i thënë: “Le të na tregojë BE-ja se ku thotë në marrëveshje që duhet të formohet sipas ligjeve në Kosovë”.

Natyrisht, Vuçiqi po tregon qëllimin e tij kur thotë: “ku thuhet se asociacioni duhet të formohet me ligjet e Kosovës”. Pra ai po kërkon që asociacioni të bëhet sipas ligjeve të Serbisë dhe çka thonë ligjet e Serbisë, zyrtarët serbë e deklarojnë shpesh si në korin e bretkosave të moçaleve.

Këto deklarata dhe shumë të tjera duhet që t’i kenë parasysh të gjithë ata zyrtarë të lartë apo ekspertë që do të merren me bisedimet për formimin e asociacionit të Komunave më shumicë serbe. Po një gjë duhet të kihet parasysh: Vetëm kërkesa për të pasur asociacion mbi baza etnike, është kundër frymës se Kushtetutës. Prandaj është më shumë se e qartë, Serbia po kërkon një nivel tjetër të pushtetit dhe vetëm për serbët. Pra, kërkesa e Serbisë nuk është për asociacion por për një Bashkësi të serbëve të Kosovës të ngjashme me Bashkësinë e Komunave serbe të Bosnjës.

Kësaj kurthe të Serbisë mund t’i iket vetëm duke ua afruar Statutin ekzistues të Komunave të Kosovës, pra ashtu siç është edhe në Kushtetutën e Kosovës dhe ligjet e saja dhe në dokumentat e tjerë të përmendura më lartë.

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë