Ndonëse sot parashihet që Murat Jashari, i dyshuari kryesor për vrasjen e avokatit Azem Vllasi, të dalë para gjykatës, për këtë seancë ende s’është caktuar ora se kur do të mbahet.
Këtë për Gazeta Metro, e ka konfirmuar edhe avokati i Jasharit, Emrush Kastrati, i cili tregoi që ende nuk ka marrë ndonjë ftesë prej gjykatës, por një gjë e tillë duhet të ndodh deri sot në ora 16:00.
“Konfirmim ose ftesë për seancë ende nuk kemi marrë. Unë po shpresoj, pasi që parimisht me kodin e procedurës penale, ai duhet të dalë në seancë deri para orës 16:00”, tha Kastrati për Gazeta Metro.
Megjithatë për Gazeta Metro, avokati Kastrati dha versionin e tij rreth kësaj tentim vrasje dhe foli për veprimin e klientit të tij.
Për Jasharin, Kastrati tha se ka probleme mendore, duke u bazuar në bisedat që ka pasur me të por edhe ilaçet që është duke përdorur.
“Në bazë të asaj çka ai folte, të jepte përshtypje se ka qenë vështirë ta kontrollojë edhe vetveten”, tha Kastrati për gazetametro.net, duke treguar edhe bisedën që ka pasur me familjen dhe dokumentet që posedojnë.
“Unë konsideroj se është njëri i sëmurë. Unë do ti propozojë gjyqtarit që ta dërgojmë tek psikiatri. Me këqyr çka është në pyetje. Mund të ketë pasur çrregullime mendore. E pash në atë drejtim kur fola me të. E pyeta nëse është duke përdorur ndonjë ilaç. Po ashtu kam folur edhe me bashkëshorten e tij dhe ajo është e shqetësuar dhe më konfirmoi se është duke përdorur ilaçe, e posedon edhe dokumentacion të mjekut se Jashari nuk është mirë”, tha Kastrati. /gazetametro.net