Loading…

Jeleku i një të mbijetuari të Titanic shitet në ankand për mbi 900 mijë dollarë

  • 21/04/2026 | 16:07

Jeleku i një të mbijetuari të Titanic shitet në ankand për mbi 900 mijë dollarë

Një jelek shpëtimi i përdorur gjatë tragjedisë së fundosjes së anijes së e Titanikut u shit në ankand për plot 906 mijë dollarë, duke dëshmuar edhe një herë interesin e madh global për historinë e anijes legjendare.


Jeleku i shpëtimit i përkiste Laura Mabel Francatelli-t, një pasagjere e klasit të parë, e cila arriti të mbijetonte natën e fundosjes. Jeleku u shit për 670 mijë paund, shumë mbi vlerësimin fillestar prej 250-350 mijë paundësh.

Objekti mban firmat e Francatelli-t e të mbijetuarve të tjerë nga e njëjta varkë shpëtimi, çka e rriti ndjeshëm vlerën e tij historike dhe koleksionuese. Ndërkaq ishte artikulli kryesor në ankandin e organizuar nga Henry Aldridge & Son në Angli.

Në të njëjtin ankand, një jastëk nga një varkë shpëtimi u shit për 390 mijë paund, duke reflektuar interesin e lartë të koleksionistëve për objekte të lidhura me Titanikun.

Drejtuesi i ankandit, Andrew Aldridge, deklaroi se çmimet rekord tregojnë jo vetëm interesin e vazhdueshëm për këtë ngjarje historike, por edhe respektin për viktimat dhe të mbijetuarit.

RMS Titanic, e konsideruar si anija më luksoze e kohës së saj, u mbyt më 15 prill 1912 pasi u përplas me një ajsberg gjatë udhëtimit të parë drejt Nju Jorkut. Rreth 1,500 nga 2,200 personat në bord humbën jetën.

Francatelli udhëtonte me stilisten Lucy Duff Gordon dhe bashkëshortin e saj Cosmo Duff Gordon. Ata shpëtuan në varkën nr. 1, e cila u bë objekt polemikash pasi u nis me vetëm 12 persona, ndonëse kishte kapacitet për rreth 40 dhe nuk u kthye për të ndihmuar të tjerë.

Më shumë se një shekull pas tragjedisë, Titaniku vazhdon të magjepsë botën, ndërsa objektet e mbetura nga ajo natë tragjike mbeten dëshmi të gjalla të një prej katastrofave më të njohura detare në histori.

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë