Këngëtarja e muzikës rome Esma Redzepova ka ndërruar jetë të dielën në mëngjes në Shkup në moshën 73 vjeçare, pas një sëmundje të rëndë dhe të shkurtër, transmetojnë mediat maqedonase. Para dy javësh është pranuar në spitalin e Shkupit në gjendje të rëndë shëndetësore.
Esma Redzepova Teodosijeva është emëruar mbretëreshë e muzikës rome dhe për interpretimin e kësaj muzike ka qenë e njohur në të gjithë botën. Prej vitit 2013 e ka bartur titullin e artistit kombëtar të Maqedonisë, shkruan gazetametro.net
Këngëtarja e popullarizuar i ka rritur 47 fëmijë dhe ka marrë pjesë në shumë aktivitete humanitare. Gjatë karrierës 55 vjeçare ka marrë pjesë në festivalet më të famshme botërore. Esma, siç theksohet, ishte ambasadore e vërtetë e muzikës në botë.
Ka mbajtur mbi 12.000 koncerte në Maqedoni dhe jashtë, e në diskografinë e saj janë 15 albume, si dhe ka bashkëpunuar me emrat më të njohur të muzikës botërore./gazetametro.net