Pas plot 120 ditësh izolim, sfidash të forta psikologjike dhe një rrugëtimi me ulje-ngritje, Selin u kurorëzua fituese e Big Brother VIP Albania 5, duke ngritur lart çekun e shumëpërfolur prej 100 mijë eurosh dhe duke mbyllur një nga edicionet më të komentuara të formatit. Por përtej festës së finales, pyetja që po qarkullon është e qartë: ku do të përfundojnë vërtet këto para?
Siç e ka deklaruar edhe vetë, Selin ka thënë se një pjesë e buxhetit do të shkojë për bamirësi, ndërsa pjesa tjetër do t’i dedikohet qëllimit të saj më personal dhe më të rëndësishëm: bashkimit të familjes.
Megjithatë, shuma që ajo fiton në ekran nuk është e njëjta që përfundon në llogarinë e saj bankare. Sipas ligjit shqiptar, fitimet nga spektaklet televizive tatohen 15 për qind në burim. Pra, nga 100 mijë euro, 15 mijë euro i mbahen shtetit, ndërsa Selinit i mbeten realisht 85 mijë euro.
Por ky është vetëm kapitulli i parë i “fitimit” të saj. Si një nga emrat më të kërkuar të momentit, Selin pritet të jetë në qendër të vëmendjes së tregut të reklamave dhe bashkëpunimeve komerciale. Kontratat, fushatat dhe prezenca e shtuar mediatike, me shumë gjasa, mund ta kalojnë lehtësisht shumën e çmimit të finales.