Komisioni i Garave të Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK) ka nisur procedurë disiplinore për menaxherin e Drenicës, Granit Koci, i cili pas ndeshjes ndaj Ferizajt besohet t’i ketë thënë gjyqtarit kryesor, Ilir Mehmeti: ”Ju kanë dërguar të na dëmtoni qëllimisht”, transmeton Gazeta Metro.
Në mbledhjen e mbajtur ditën e djeshme nga Komisioni i Garave ndër të tjerash është diskutuar për regjistrim e ndeshjeve të xhiros së 14’të në Superligën e Kosovës.
Dhe, siç thuhet në njoftimin e tyre pas shqyrtimit komplet të materialit të siguruar nga zyrtarët e ndeshjeve, bazuar në nenin 70 të Rregullores së Garave, si dhe dispozitave të Rregullores Disiplinore ka marrë vendim të nis procedurë disiplinore për Granit Kocin.
”Ndaj: Menaxherit të FC ”Drenica”, Granit Koci nr ID.000944M91. Motivi: Pas përfundimit të ndeshjes Ferizaj-Drenica, para hyrjes në lokalet zyrtare, fyen dhe ofendon gjyqtarin kryesor të ndeshjes duke i thënë: ”Ju kanë dërguar të na dëmtoni qëllimisht”. Sipas raportit të gjyqtarit kryesor të ndeshjes Ferizaj-Drenica,” thuhej në komunikatën e FFK’së.
Kujtojmë se ndeshja përfundoi me rezultat të barabartë 1-1 me golat e shënuar nga mesfushori, Agim Zeka (37′) dhe mbrojtësi, Gentrit Halili (88′). /gazetametro.net