Loading…

Kadetët mbeten pa kapela, çfarë bëri pushteti i Kurtit me tenderin 10 milionësh për uniformat e policisë

  • 04/11/2026 | 12:23

Kadetët mbeten pa kapela, çfarë bëri pushteti i Kurtit me tenderin 10 milionësh për uniformat e policisë

Policia e Kosovës ka nënshkruar kontratë në vlerë prej 10 milionë e 640 mijë eurosh për furnizim me uniforma policore për femra dhe meshkuj. Kontrata është nënshkruar më 16 korrik 2026, ndërsa vlera e parashikuar e tenderit ishte mbi 11.3 milionë euro, shkruan Gazeta Metro.


Sipas dokumenteve të prokurimit, në këtë tender kanë aplikuar tetë operatorë ekonomikë, por vetëm njëri është vlerësuar si i përgjegjshëm. Kontrata i është dhënë grupit të operatorëve ekonomikë EMPREUS SH.P.K., Seyntex dhe BOULEVARD SH.P.K.

Megjithatë, në kohën kur Policia ka nënshkruar këtë kontratë milionëshe për uniforma, problemet me furnizimin po shfaqen edhe te kadetët e rinj të Policisë së Kosovës.

Madje, policëve u është kërkuar që t’ua japin përkohësisht kapelat e tyre kadetëve të gjeneratës së 63-të, në mënyrë që këta të fundit të kenë me çfarë të paraqiten në ceremoninë e diplomimit, ka raportuar VOX Kosova.

Kjo situatë vjen pasi ceremonia e diplomimit, e paraparë të mbahej më 30 tetor, ishte shtyrë për shkak të mungesës së uniformave dhe pajisjeve të nevojshme. Kadetët më pas janë njoftuar se ceremonia do të mbahet më 6 nëntor.

Në këtë gjeneratë janë 412 kadetë, të cilët e kanë nisur trajnimin më 27 prill në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike. Pra, pas disa muajsh përgatitje, në prag të diplomimit, problemi doli të ishte mungesa e pajisjeve për ceremoninë.

Por, çështja e uniformave nuk është diçka që ka lindur me këtë gjeneratë. Për këtë problem, Sindikata e Policisë ka folur edhe më herët.

Kryetari i saj, Avdi Hoti, më 9 tetor kishte treguar se shpërndarja e uniformave nuk ishte bërë në mënyrë të rregullt prej vitesh.

“Uniforma nuk është shpërndarë që nga viti 2021, ka pas shpërndarje vetëm aty ku ka pasur nevojë, por uniformë të rregullt, me shpërnda qysh është me rregullore deri më tani nuk ka pasur”.

Kësaj gjendjeje i shtohet edhe një zotim politik që vazhdon të mos marrë formë konkrete. Para se të vinte në pushtet, Albin Kurti kishte premtuar se policët do të pajiseshin me sigurim shëndetësor dhe jetësor.

Në kohën kur ishte në opozitë, Lëvizja Vetëvendosje e kishte ngritur shpesh çështjen e kushteve të punës së policëve dhe rreziqeve me të cilat përballen gjatë shërbimit. Kurti kishte argumentuar se mbrojtja e tyre duhej të ishte përgjegjësi e institucioneve.

“Njëjtë sikurse policia që na japin neve siguri, edhe ne duhet t’u japim zyrtarëve policorë sigurimin jetësor e shëndetësorë si një e drejtë e garantuar për punën e tyre të rëndësishme, por edhe nën rrezik”.

Megjithatë, gjashtë vjet pas ardhjes së Vetëvendosjes në pushtet, ky zotim ende nuk është përmbushur. Policët vazhdojnë të presin sigurimin e premtuar, ndërsa raportimet e fundit kanë rikthyer në vëmendje edhe mungesat në furnizimin me uniforma.

Në të njëjtën kohë, Policia e Kosovës po kalon edhe nëpër ndryshime në pozitat drejtuese.

Gazmend Hoxha u largua nga drejtimi i përgjithshëm i Policisë më 30 tetor, pasi dha dorëheqje, të cilën e pranoi kryeministri Kurti. Pas propozimit të ministrit Xhelal Sveçla, detyrën e drejtorit të përgjithshëm e mori përkohësisht Fehmi Hoti.

Ndërkaq, në Departamentin Kufitar pritet të jetë Veton Elshani, i cili më 2 nëntor konfirmoi marrjen e kësaj detyre. Fehmi Xhata, që e mbante më parë këtë pozitë, pritet të kalojë në krye të Departamentit të Hetimeve.

Në prill të këtij viti, Policia e Kosovës kishte hapur edhe një tender për furnizim me rroba civile për zyrtarët policorë, në vlerë mbi një milion euro, pasi një tender i mëhershëm, në vlerë rreth 200 mijë euro, ishte anuluar për shkelje ligjore gjatë procedurës së prokurimit./gazetametro.net

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë