Autoriteti Kosovar i Konkurrencës parandaloi implementimin e marrëveshjes së ndaluar në formë të bashkërenduar të kafeneve në qytetin e Gjilanit për rritje dhe fiksim të çmimeve për disa artikuj.
Pas marrjes së informacioneve nga burimet e ndryshme dhe nga rrjetet sociale, Autoriteti Kosovar i Konkurrencës me efikasitet dhe saktësi parandaloi implementimin e marrëveshjes së ndaluar në formë të bashkërenduar të kafeneve në qytetin e Gjilanit për rritje dhe fiksim të çmimeve për disa artikuj.
Të shtunën në mbrëmje inspektorët hetues pas marrjes së informacioneve vepruan duke i identifikuar kafenetë të cilat ishin bashkëpjesëmarrëse në takimin e dyshuar për arritjen e marrëveshjes, thekson një komunikatë e Autoritetit Kosovar të Konkurrencës (AKK).
Fiksimi i çmimit është i ndaluar dhe i ndëshkueshëm sipas Ligjit për Mbrojtjen e Konkurrencës.
Meqë kjo marrëveshje ishte planifikuar të implementohet të hënën, më 24.04.2017, inspektorët hetues sipas detyrës zyrtare avokuan tek pronarët e këtyre kafeneve se implementimi apo hyrja në fuqi e kësaj çmimore, çmimore e cila u hartua me marrëveshje nga të gjithë pronarët apo përfaqësuesit e kafeneve, pjesëmarrës në kartel, është e kundërligjshme dhe që implementimi i ngritjes dhe fiksimit të çmimit do të prodhonte pasoja ligjore.
Sipas komunikatës, pronarët e kafeneve me të cilët inspektorët hetues avokuan për rëndësinë e Ligjit për Mbrojtjen e Konkurrencës, e kuptuan shumë qartë se marrëveshjet e tilla kufizojnë mundësinë e përzgjedhjes nga konsumatori dhe që kufizimi i çmimeve në një vend me ekonomi të tregut me konkurrencë të lirë nuk lejohet.