Një grup i kandidatëve të cilët janë penalizuar nga vendimi i ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, për anulimin e provimit të noterisë, janë mbledhur për t’u dakorduar për veprimet e mëtutjeshme, transmeton Gazeta Metro.
Me anë të një njoftimi, ata thuhet se kanë paralajmëruar masa duke u pajtuar që t’i ndjekin rrugët ligjore dhe t’i njoftojnë institucionet qendrore vendore dhe ato ndërkombëtare për pakënaqësitë e tyre.
“Sot u takuan një grup i kandidatëve për noterë, të cilët janë prekur me vendimin e MD për kthimin e procesit të përzgjedhjes në pikën zero. Ky grup u pajtua që të ndjekin të gjitha rrugët ligjore për të kundërshtuar vendimin e padrejtë dhe të jashtëligjshëm të ministres Albulena Haxhiu. Po ashtu u vendos që për pakënaqësitë e tyre të njoftohen të gjitha institucionet qendore dhe ndërkombëtare me mision në Kosovë”, thuhet në njoftim.
Kujtojmë se Ministrja Haxhiu ka anuluar procesin e noterisë të mbajtur në prill të vitit 2019, nga Qeveria “Haradinaj”, pasi që sipas saj, ky proces nuk ishte ligjor, transparent dhe objektiv. /gazetametro.net