Kandidati për kryetar të Komunës së Junikut nga radhët e AAK’së, Agron Kuçi, ka paralajmëruar se pas numërimit të votave nga diaspora që pritet të ndodhë nesërm, ai do jetë edhe për një mandat të radhës në krye të kësaj komune, shkruan Gazeta Metro.
Kuçi tha se do jetë kryetar i të gjithëve, dhe për këtë kërkoi ndihmë nga qytetarët për bashkëpunim e transparencë.
Ai përmes një shkrimi të gjatë tha se e ka prioritet zhvillimin e Junikut në të gjitha fushat, derisa shtoi se që nga e dielja ai do jetë sërish kryetar i kësaj komune, duke iu referuar kështu numërimit të votave me postë që do filloj nesër nga ora 11:00.
‘’ Unë do të jem një kryetar që është në anën e juaj. Kështu të dielën, zgjedhjet do të përfundojnë, por muajin tjetër, ne fillojmë një kapitull krejt të ri, këtu në Junik dhe ky është një kapitull ku çdo familje, çdo individ dhe çdo junikas ka vërtet rëndësi të veçantë, këtu ku fillon e nuk mbaron kurrë rrugëtimi ynë i përbashkët për Junikun, qytetin që e duam’’, shkroi Kuçi.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve përmes një komunikate për media ka njoftuar se nesër do të fillojë procesi i numërimi të votave nga jashtë Kosovës, të ardhura përmes postës gjatë periudhës 15 shtator-15 tetor.
“ju njoftoj se nesër (e diele, 24 tetor, ora 11:00) në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve do të fillojë procesi i numërimit të votave nga jashtë Kosovës, të ardhura përmes postës gjatë periudhës 15 shtator – 15 tetor 2021”, thuhet në njoftimin e KQZ-së.
Në ndërkohë, kryeshefi i Sekretariatit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Burim Ahmetaj, ka bërë të ditur sot se përmes postës kanë ardhur 10 mijë e 934 zarfe me fletëvotime nga jashtë. Prej tyre, KQZ-ja ka aprovuar vetëm 9 mijë e 610 pako, teksa janë refuzuar 1.324 të tjera.
Postimi i plotë:
”Këto ditë bashkëqytetarët Junikas e përçuan një mesazh, me zë të lartë dhe të qartë, zë i arsyes, që të gjithë ta degjojnë. Një porosi e cila tregon se zgjedhjet tona asnjëherë nuk duhet të jenë për përfitime të çastit, por për rrugën e së drejtës në vend të të gabuarës, që vlerat tona dhe mënyra se si e trajtojmë njëri-tjetrin është akoma më e rëndësishme se sa partitë tona, sepse ajo që na bashkon neve si Junikas është akoma më e fortë se çdo tentim tjetër që ka qëllim ndarjen e përqarjen.
Ne i treguam këtij vendi se në Junik, ne, mund të mos pajtohemi me njëri-tjetrin për çështje të caktuara qoftë me ballafaqim të ideve a vizioneve të ndryshme, por gjithmonë do ta kultivojmë respektin dhe dashurinë njerëzore për njëri-tjetrin, sepse ne besojmë në ngritjen e njëri-tjetrit, në vend të dështimit.
Pas të dielës, këto zgjedhje do përfundojnë!
Pas të dielës, ne do ecim përpara me çdo qytetar të Junikut, me Junikun e brezave të se ardhmës, misioni i të cilit është i rrënjosur në vlerat tona të përbashkëta kulturore, trashëgimore dhe historike, punës së palodhur dhe besimit në një të nesërme më të madhe dhe më të ndritshme. Dhe janë pikërisht këto vlera të Junikut që i kapërcejnë të gjitha bindjet dhe paragjykimet partiake. Vlera që nuk lënë hapësirë për frymë që nuk përkon me mesazhin e bashkjetesës së mirë, respektit të ndërsjellë, e deri te mënyra e të jetuarit prej Junikasve, si një familje e madhe dhe e pandarë.
Jam shumë i vendosur, i përkushtuar maksimalisht që të jem Kryetar i të gjithëve.
Dhe këtë nuk mund ta arrijmë të vetëm, porse të bashkuar rreth një qëllimi fisnik, për një Junik rural dhe urban, ku secili prej nesh: gra e burra, vajza e djemë, për një ëndërr tonë të përbashkët; për Junikun e ndërtuar dhe prosperuar, edhe si amanet i paraardhësve dhe pasardhësve tanë. Kjo mbase është detyra dhe obligimi ynë sot e nesër.
Ne po përballemi me sfida të mëdha, por e di se për të gjitha i kemi zgjidhjet, sfida që i kalojmë bashkarisht me qytetarët tonë. Me ata bashkëqytetarë, me të cilët unë fillova mëngjesin dhe e përmbylla ditën për më shumë se një dekadë.
Kam kandiduar për çështjet dhe sfidat e përbashkëta, ato të punësimit, kujdesit shëndetësor për çdo Junikas, shërbimeve publike, infrastruktures, ambientit, ekonomisë si dhe mbështetjes së arsimit publik.
Unë besoj se para vetës kemi një të nesërme më të ndritshme, për ta bërë Junikun shembull për turizëm. Ne do të ndërtojmë në të gjithë sektorët e jetës publike, për zhvillim të qendrueshëm ekonomik lokal, për të krijuar vende të reja pune si mundësi punësimi për të gjithë.
Kjo është një fitore për mijëra junikas, njerëz që punojnë kaq shumë çdo ditë, që u japin krah qytetarëve të tyre dhe që ndihmojnë familjet dhe fqinjët e tyre.
Unë do të jem një kryetar që është në anën e juaj. Kështu të dielën, zgjedhjet do të përfundojnë, por muajin tjetër, ne fillojmë një kapitull krejt të ri, këtu në Junik dhe ky është një kapitull ku çdo familje, çdo individ dhe çdo junikas ka vërtet rëndësi të veçantë, këtu ku fillon e nuk mbaron kurrë rrugëtimi ynë i përbashkët për Junikun, qytetin që e duam.
Faleminderit që të gjithëve,
JU që promovoni vlerën e mirë të bashkjetesës çdo ditë.
Me shumë përzemërsi e respekt,
I juaji, Agroni !”/gazetametro.net