Pas ndeshjeve të kombëtareve këtë javë rikthehet Superliga e Kosovës, ku vëmendja kryesore është në Suharekë në duelin mes Ballkanit dhe Gjilanit. Para këtij takimi kapiteni i suharekasëve, Edvin Kuc, ka folur për Gazeta Metro.
Skuadra e udhëhequr nga Ilir Daja si rrallë herë viteve të fundit po kalon nëpër një krizë të rezultateve. Gjashtë ndeshje, asnjë fitore.
Megjithatë, sipas mesfushorit Kuc pas pushimit të detyruar shkaku i ndeshjeve të kombëtareve tani ka ardhur koha t’i kthehen fitoreve.
”Kemi pasur një krizë rezultati, ky pushim ishte i mirë për ne që të freskohemi dhe t’i kthehemi rrugëve të fitoreve,” tha ai për Gazeta Metro.
29-vjeçari potencoi se pushimi ka ndikuar për të mirë te kampionët në fuqi të Kosovës. Ai tha se kanë respekt për Gjilanin, por la të nënkuptohet se tre pikët dëshirojnë të mbesin në Suharekë.
”Sigurisht që kjo pauzë na ka ndihmuar, të pushojmë, dhe që lojtarët e lënduar të kthehen, Gjilani ka një ekip të mirë, ne kemi respekt për ta, por e dimë qëllimin tonë, besoj se shpejt do të kthehemi në formë dhe mbrojnë titullin.
”Siç thashë, Gjilani është ekip i mirë, ka shumë lojtarë të mirë, luajnë mirë që nga fillimi i pjesës së dytë. E nesërmja nuk do të jetë e lehtë, por duhet të tregojmë pse jemi më të mirët,” përfundoi ai për Gazeta Metro.
Ndeshja mes Ballkanit dhe Gjilanit do të zhvillohet të shtunën me fillim nga ora 15:00 në stadiumin e qytetit në Suharekë.
Pas 26 javëve të para në elitën e futbollit kosovar, portokallezinjtë gjenden në pozitën e dytë në tabelë me 51 pikë, kurse gjilanasit në vendin e tretë me 40 pikë. /gazetametro.net