Loading…

Kasumi: Kompanitë nga Kosova nuk kanë pasur hapësirë të mjaftueshme në Panairin e Biznesit në Tiranë

  • 04/12/2021 | 14:01

Kasumi: Kompanitë nga Kosova nuk kanë pasur hapësirë të mjaftueshme në Panairin e Biznesit në Tiranë

Në Panairin Ndërkombëtar të Tiranës të organizuar nga Klik Ekspo Group, po marrin pjesë edhe bizneset nga Kosova. Disa me stendat e tyre, e disa të tjera në takime “Biznes-to-Biznes”, po synojnë zgjerimin e sipërmarrjeve të tyre në tregun shqiptar dhe më tej. Megjithatë, Kushtrim Kasumi nga kompania “Pestova”, thotë se nuk kanë pasur hapësirën e mjaftueshme për të prezantuar kompanitë e tyre. Ai thekson se shumica e bizneseve janë serbe dhe turke.


Në Pallatin e Kongreseve në Tiranë, ai edhe disa përfaqësues tjerë të kompanive nga Kosova kanë marrë pjesë gjatë këtyre katër ditëve në panairin i cili bashkon gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor.

“Panairi kryesisht për kompanitë tona është për takime B2B ajo që ka qenë me rëndësi. Ne paraprakisht e kemi pasur planin se me kë do të takohemi, cilat kompani kanë me qenë pjesëmarrëse këtu. Edhe i kemi caktuar takimet paraprakisht online me kompanitë që kanë qenë në interes për kompaninë tonë. Takimet kanë qenë frytdhënëse, konstruktive dhe pritet tash e tutje që të ketë edhe takime të tjera përmes email-ave që të shkëmbehen katalogët, produktet me i dërgua mostrat edhe shpresojmë që të ketë diçka konstruktive”, thekson ai.

Ai thotë se për kompaninë e tyre kosovare është me rëndësi pjesëmarrja në këtë panair, meqë arrijnë të takohen me kompani nga rajoni për të zgjeruar tregun ku nuk janë prezent.

“Ne dje i kemi pasur tri takime, takimi i parë ka qenë me një kompani nga Bosnja, ‘Royall Food’, një kompani bukur e madhe në Bosnjë që merret me distribuimin e produkteve ushqimore. Ata kanë qenë të interesuar pasi ne i kemi bërë prezantimin e produkteve tona, kanë qenë të interesuar për negocim për produktet tona dhe kemi treguar cilësinë edhe mostrat e produkteve”, shton ai.

Megjithatë, si shprehet i pakënaqur me hapësirën që u është ofruar kompanive nga Kosova.

“Hapësira nuk është e mjaftueshme, fatkeqësisht hapësirën më të madhe e kanë kompanitë nga Turqia dhe Serbia. Nuk e di faji i kujt mundet me qenë ky, mirëpo besoj që për hera të tjera duhet të reflektohet dhe këto panaire të shfrytëzohen në maksimum, institucionet përkatëse që merren me organizime. Hapësira nuk është e mjaftueshme, pjesën dërrmuese e kanë kompanitë serbe dhe kompanitë turke”, deklaron Kasumi.

Kompania “Pestova” kultivon pataten dhe bën përpunimin e saj në çips dhe produkte të tjera.

Mbi 200 kompani nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor dhe vendeve të tjera po marrin pjesë që nga e mërkura në Panairin Ndërkombëtar të Biznesit. Ky është edicioni i 27-të dhe organizohet nga Klik Ekspo Group, i cili do të mbyllet sonte.

Agjencia e Lajmeve KosovaPress dhe Agjencia Telegrafike Shqiptare janë sponsor medial i këtij panairi. Të dy këto me stendat e tyre janë pjesëmarrëse në Panairin Ndërkombëtar të Biznesit.

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë