Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiç në fjalimin e tij në Këshillin e Sigurimit ku në rend dite është diskutimi për Kosovën, është ankuar për mos formimin e Asociacionit e Komunave me Shumicë Serbe.
Ai në fjalën e tij para anëtarëve të KS të OKB-së, ka folur edhe për vrasjen e politikanit serb, Oliver Ivanoviç, ku u ankua për mos zgjidhjen e këtij rasti nga organet e drejtësisë.
Ai ka folur edhe për nismën për formimin e Ushtrisë së Republikës së Kosovës, duke thënë se një gjë e tillë është në kundërshtim më rezolutën 1244.
Dacic përmendi vizitën e presidentit Thaçi në Ujman së bashku me njësitet speciale të Policisë së Kosovës ROSU, duke thënë se prania e tyre ishte një provokim për Serbinë dhe popullin serb.
Ndryshe, seanca mbi situatën në Kosovë, e para pas gjashtë muajsh, ishte planifikuar me iniciativën e Kinës, e cila mori përsipër Këshillin e Sigurimit më 1 nëntor./Gazetametro.net