Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka paraqitur të mërkurën qëndrimet e tij lidhur me versionin aktual të Projektligjit për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, i cili është proceduar për shqyrtim në Kuvend.
Sipas KDI’së forcimi i mekanizmave për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme është një hap i domosdoshëm në luftën kundër korrupsionit. Megjithatë, një reformë e tillë duhet të ndërtohet mbi parime të qarta kushtetuese, siguri juridike dhe respektim të të drejtave themelore, në mënyrë që të jetë e zbatueshme dhe e qëndrueshme në praktikë.
Ndonëse KDI e përkrah parimisht idenë e konfiskimit civil dhe vetë Byronë si mekanizëm, vlerëson se versioni aktual i projektligjit nuk i adreson në mënyrë të plotë gjetjet e Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese (KO46/23) dhe rekomandimet e Komisionit të Venecias, duke lënë hapësirë për paqartësi dhe rrezik për cenim të të drejtave kushtetuese.
Në veçanti, KDI ngriti shqetësime për dy çështje thelbësore. Së pari, lidhur me vlefshmërinë kohore të verifikimit të pasurisë, ku përcaktimi i periudhës që nga viti 2008 krijon pasiguri juridike dhe bie ndesh me standardet e vendosura nga Gjykata Kushtetuese, e cila ka theksuar nevojën për një kufizim të arsyeshëm kohor. Së dyti, lidhur me kompetencat për nxjerrjen e legjislacionit sekondar, pasi projektligji i jep Byrosë diskrecion të gjerë për të rregulluar procedura që prekin drejtpërdrejt të drejtat pronësore, çështje këto që duhet të jenë të përcaktuara qartë në vetë ligjin.