Ministria e Jashtme e Rusisë përmes një komunikate ka komentuar zhvillimet në Maqedoni duke i dhënë mbështetje VMRO-së së Nikolla Gruevskit dhe BDI-së së Ali Ahmetit, ndërsa, ka akuzuar perëndimin për siç thuhet mosrespektimin e vullnetit të qytetarëve që në zgjedhje kanë votuar për këto dy parti politike.
“Manipulimi i turpshëm makiavelist me vullnetin e votuesve po kërcënon shpërthimin në Maqedoni dhe të rrënojë stabilitetin e rajonit të Ballkanit… duket se kemi një ndikim të madh nga jashtë ndaj forcave politike në Maqedoni. Qëllimi është i qartë – riformatimi i autoriteteve edhe përkundër përkrahjes së madhe të votuesve për koalicionin e udhëhequr nga Nikolla Gruevski dhe Bashkimin Demokratik për Integrim nga Ali Ahmeti”, citon Kosovapress deklaratën e Ambasadës së Rusisë në Maqedoni.
Ministria ruse e punëve të jashtme vlerëson se kriza politike në Maqedoni është e thellë dhe se zgjedhjet e 11 dhjetorit, të cilat thonë se janë nxitur artificialisht nuk kanë ndihmuar në qetësimin e situatës.
Lidhur me zhvillimet në vend është prononcuar edhe ambasadorja gjermane e cila ditë më parë ishte në shënjestër të kritikave nga VMRO DPMNE-ja.
“Situata politike në Maqedoni ende është e rëndë, ndërsa vullneti politik është gjithmonë një parakusht për një përparim politik. Në këtë kontekst presim që haptas të gjitha partitë dhe nga presidenti Ivanov që t’i pranojë qëndrimet e të gjitha partive. Ne do të vazhdojmë t’i përkrahim proceset e reformave demokratike në vend”, deklaroi ambasadorja e Gjermanisë, Kristina Althauzer.
Reagimet e VMRO-s ndaj ambasadës gjermane pasuan një deklaratë të saj se mandati për formimin e qeverisë së re duhet t’i jepet LSDM-së, partisë së dytë me më shumë deputet. E pyetur nga partia e Gruevskit nëse ky është sugjerim i ambasadës, nga përfaqësia diplomatike gjermane u përgjigjën kjo është ajo që për momentin e vlerëson Berlini zyrtar.