Punëtorët e Korporatës Energjetike të Kosovës, të enjtën do të protestojnë para objektit të Qeverisë së Kosovës, për të kundërshtuar futjen e tyre në Ligjin për Paga, transmeton Gazeta Metro.
Në një njoftim të Sindikatës së Re të KEK-ut thuhet se arsyeja e protestës është që të tërhiqet KEK-u nga ky Ligj,
“Të nderuar anëtarë të SRKEK-ut, punëmarrës të KEK-ut, sot Kryesia ekzekutive e Sindikatës së Re Korporata Energjetike e Kosovës ka marrë vendim që të protestojmë me gjithë punëtorët e KEK-ut, para Qeverisë së Republikës së Kosovës më 14.02.2019 duke filluar nga ora 11:00”, thuhet në këtë njoftim.
Tutje, në njoftimin e bërë shkruan se punëtorët e KEK’ut po kërkojnë të tërhiqen nga Ligji për Paga, pasi që ata marrin para nga buxheti që buron nga prodhimi i energjisë elektrike, e jo nga buxheti i shtetit.
Kujtojmë se kjo Sindikatë ka lajmëruar edhe më herët se do të fillojë greva e protesta, pikërisht kundër futjes së punëtorëve të KEK’ut në Ligjin për Paga./gazetametro.net