Loading…

Kërkohet bashkëpunim rajonal në luftimin kundër trafikimit me njerëz

  • 18/10/2019 | 12:52

Kërkohet bashkëpunim rajonal në luftimin kundër trafikimit me njerëz

Përfaqësuesi i Ambasadës Amerikane në Prishtinë, John Bush vlerësoi se Kosova ka bërë progres në parandalimin e trafikimit me njerëz, shkruan Gazeta Metro.


Qeveria e Kosovës ka bërë progres në luftën kundër trafikimit me njerëz, ndërsa kërkohet bashkëpunim rajonal dhe ndërkombëtar në luftimin e kësaj dukurie.

Kështu u tha në Ditën e Bashkimit Evropian Kundër Trafikimit me Njerëz, me rastin e lansimit të fushatës një mujore “Mos hesht” nga Ministria e Punëve të Brendshme, fushatë kjo që do të shërbejë si thirrje për një qytetar aktiv, i cili në masë të madhe do të ndihmojë organet shtetërore.

Me këtë rast, përfaqësuesi i Ambasadës Amerikane në Prishtinë, John Bush vlerësoi se Qeveria e Kosovës ka bërë progres në parandalimin e trafikimit me njerëz.

Ai dha edhe rekomandimet për Qeverinë e Kosovës, me ç’rast tha se kjo e fundit duhet të vendosë një fond të qëndrueshëm përmes buxhetit për një organizatë jo-qeveritare për t’i strehuar viktimat e trafikimit, të punohet me autoritetet lokale për mbrojtjen e viktimave në komunat veriore, të ofrohet mbështetje profesionale e gjithëpërfshirëse në trajnimin dhe riintegrimin për viktimat si dhe të krijohet një bazë e të dhënave që zbërthen statistikat rreth trafikimit, ku çdokush mund ta shoh fushëveprimin e problemit.

Në emër të Qeverisë të Kosovës, këshilltari i kryeministrit në detyrë Ramush Haradinaj, Hysen Gashi tha se në luftën kundër trafikimit me njerëz duhet të angazhohen të gjithë mekanizmat shtetëror dhe të gjithë qytetarët.

Ai kërkoi nga organet kompetente të marrin masat më rigoroze në luftimin e kësaj dukurie.  Ndërsa detaje të fushatës “Mos hesht” dha ministri në largim i Punëve të Brendshme, Ekrem Mustafa, i cili bëri të ditur se në kuadër të kësaj fushate do të ketë aktivitete të shumta, teksa theksoi se në dizajnimin e saj kanë marrë në konsideratë kategori dhe faktorë të ndryshëm.

E zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti tha se Policia e Kosovës e ka prioritet parandalimin e trafikimit me njerëz.

Gjendja sociale dhe ekonomike e rëndë, moskujdesi i duhur prindëror dhe kujdestar sidomos ndaj fëmijëve, braktisja e shkollimit, mungesa e njohurive ndaj pasojave të trafikimit sipas Mehmetit janë faktorët kryesor të trafikimit me njerëz.

Me qëllim të luftimit të kësaj dukurie negative, Mehmeti bëri të ditur se sot në të gjitha xhamitë e Kosovës do të ligjërohet për rëndësinë e luftimit të trafikimit me njerëz.

Basri Kastrati nga Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit, tha se Kosova ka bërë progres në luftimin e trafikimit me njerëz.

Siç tha ai, në kuadër të të gjitha masave që janë marrë, është shtuar edhe periudha e dënimit për rastet e trafikimit, ku ka pasur dënime prej 5-9 vite.

Edhe Besnik Ramosaj nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës u shpreh se krahasuar me vitin e kaluar, në 9 mujorin e parë të këtij viti, vërehet se ka pasur progres në trajtimin e rasteve.

Ndërsa Isak Shabani nga Ministria e Shëndetësisë tha se synojnë që të gjitha viktimave të trafikimit tu ofrojnë trajtim profesional dhe shërbime pa pagesë./gazetametro.net

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë