Është shoqata “Ngritja e Zërit” nga Skenderaj e cila sot u është drejtuar Qeverisë së Kosovës me një kërkesë rreth dëmeve të luftës së fundit në Kosovë.
Drejtuesit e kësaj organizate të cilët po marshojnë në sheshet e Prishtinës me disa pankarta në dorë po kërkojnë dëmshpërblim dhe kjo çështje të futet edhe në bisedimet e Brukselit.
Jahir Bejta si drejtues i kësaj organizate thotë se ky marsh është organizuar në kohën kur Kosova po kalon qaste të vështira ndërsa shprehu shqetësimin se asgjë s’po bëhet me dosjet për kompensim të dëmit që tashmë vetëm gjenden nëpër gjykata.
Ai, është shfaqur i irrituar edhe me mediat të cilat sipas tij nuk po merren me këtë temë.
“Duke pas parasysh rolin që kanë mediat disa herë kemi apeluar që ti kemi mediat në krah. Është e pa pranueshme që në mediat tona botohen artikuj që askush nuk merret me dëmet e luftës kur ne si shoqatë veprojmë që 8 vite herë me kushte e herë pa to. Fatet në të ardhmen varen nga kontributi jonë prandaj ju ftoj të jemi pranë atyre që kontribuan në vendin tonë”, tha Bejta para mediave, transmeton gazetametro.net.
Marshuesit kërkuan që ministria e Drejtësisë të angazhohet për rimbursimin e dëmeve ndërsa kryetarëve të komunave u kërkuan hapjen e nga një shoqate të tillë, si kjo “Ngritja e Zërit”.
Bashkë me marshuesit ishte sot edhe kryetari i Këshillit Koordinues të Asociacioneve të Familjarëve të të Zhdukurve, Haki Kosumi.
Për Kosumin, drejtësia në Kosovë është duke fjetur.
“Pa funksionuar drejtësia dhe pa i nxjerr para drejtësisë kriminelët qeveria të sigurohet që qetësi nuk do të ketë. Drejtësia për kompensim të dëmeve të luftës duhet të jetë parësore në punën e organeve të drejtësisë”, tha Kosumi./gazetametro.net