Sindikata e Lotarisë së Kosovës ka kërcënuar me protesta, pas situatës së krijuar prej ndalimit të lojërave të fatit, shkruan Gazeta Metro.
Pas ndalimit të lojërave të fatit sipas ligjit të miratuar nga Kuvendi i Kosovës, Lotaria e Kosovës e ka ndërprerë veprimtarinë e saj.
Sipas kësaj sindikate, nga ajo kohë janë zhvilluar takime dhe shkresa të shumta u janë dërguar institucioneve relevante, mirëpo deri më sot nuk është marrë asnjë iniciativë për hartimin e ligjit të veçantë për Lotarinë e Kosovë, ashtu siç është premtuar.
Ata kanë kërkuar që të bëhet sa më parë inicimi i këtij ligji, ndryshe do të protestojnë.
“Nga takimet e realizuara me të gjitha grupet parlamentare ato kanë shprehur gatishmërinë në përshpejtimin e nxjerrjes së ligjit, por inicimi që duhet të merret nga institucionet e Qeverisë së Republikës së Kosovës nuk është ndërmarrë ende. Punëtorët e Lotarisë së Kosovës janë tejet të shqetësuar dhe të indinjuar me këtë neglizhencë të institucioneve përkatëse për çka pakënaqësinë e tyre do ta shprehin edhe me anë të protestave”, thuhet në deklaratë.
Si ndërmarrje publike ku aksionare dhe pronare është Qeveria e Republikës së Kosovës, punëtorët e Lotarisë së Kosovës kërkojnë nga e njëjta që të përmbush obligimet që i takojnë si pronare e saj.
“Apelojmë tek institucionet e Qeverisë së Republikës së Kosovës që të iniciojnë sa më parë ligjin e veçantë për Lotarinë e Kosovës dhe të mos na detyrojnë të ndjekim rrugët tjera për realizimin e të drejtave tona, por vetëm përmes rrugëve institucionale ashtu siç kemi vepruar deri më tani”, përfundon deklarata./gazetametro.net