Është shoqata e Operatorëve të Terminaleve të Licencuara (ShOTL),e cila ka reaguar lidhur me vendimin e e Doganës për hapjen e një terminali të ri doganor.
Përmes një reagimi për media kjo shoqatë po kërkon nga ministri i Financave, Avdullah Hoti që të pezullojë këtë vendim.
Ata, e quajnë vendim të pamatur të Doganës së Kosovës, duke rikujtuar se nuk ka nevojë për një terminal të ri, përderisa kapacitetet e terminaleve që janë operacionale janë ende të pashfrytëzuara.
Lexojeni të plotë reagimin e ShOTL-së
Shoqata e Operatorëve të Terminaleve të Licencuara (SHOTL), e cila funksionon si shoqatë e regjistruar në kuadër të Odës Ekonomike të Kosovës, me rastin e situatës së re të krijuar pas vendimit të Doganës për hapjen e zyrës së re doganore në Prishtinë, duke iu referuar komunikatës zyrtare të Doganës së Kosovës, nxjerr këtë:
Në komunikatën e datës 30.11.2016, Dogana e Kosovës arsyeton vendimin për hapjen e terminalit të ri doganorë në Prishtinë mbi baza të faktit se kompania që ka aplikuar për këtë lejim posedon licencën valide të lëshuar nga Ministria e Infrastrukturës, si shoqatë dëshirojmë të potencojmë se ne në vazhdimësi kemi adresuar tek të gjitha institucionet relevante që trajtimi i kërkesave të reja për hapjen e terminaleve doganore të bëhet konform legjislacionit në fuqi.
Pikërisht UA 5/2015 në nenin 2 të saj ka të specifikuar se licenca e lëshuar nga Ministria Infrastrukturës sipas këtij udhëzimi nuk nënkupton dhe nuk obligon Doganën që të angazhoj resurse shtesë për hapjen e zyrave te reja doganore posaçërisht përderisa kapacitetet e terminaleve që janë operacionale janë ende të pashfrytëzuara.
Duke pas parasysh se vendimi për hapjen e terminalit të ri është miratuar nga ushtruesi i detyrës së drejtorit Doganës, kërkohet nga Ministri i Financave që konform nenit 6 pikës 8 të Kodit Doganor dhe të Akcizave të ushtroj të drejtën ligjore për të pezulluar vendimin e pamatur të ushtruesit të detyrës së Drejtorit të Doganës dhe të rregulloi situatën e krijuar.
Si shoqatë, me qëllim të mbrojtjes së të drejtave tona ligjore dhe mbrojtjes së investimeve, jemi detyruar që të angazhojmë zyra ligjore vendore dhe ndërkombëtare, zyra këto që i kemi angazhuar për shqyrtimin e gjithë dokumentacionit dhe në rast nevoje do jemi të shtyrë që të ndërmarrim masa ligjore për të mbrojtur interesat tona. Shpresojmë që institucionet kompetente do shqyrtojnë me kujdes pretendimet tona./gazetametro.net