Komisioneri për të Drejtat e Njeriut i Këshillit të Europës, Nils Muiznieks, tha se të prekurit nga lufta në Kosovë po injorohen nga autoritetet, për shkak të diskutimeve të shumta politike rreth të ardhmes së vendit.
Ai, gjatë një vizite në Kosovë të enjten, tha se viktimat e luftës dhe të drejtat e tyre duhet të vendosen në qendër të dialogut politik.
“Shumë viktima të luftës në Kosovë, personat e zhvendosur, familjet e të zhdukurve dhe viktimat e luftës seksuale ende po tentojnë të rindërtojnë jetët e tyre, duke gjetur të vërtetën për më të dashurit e tyre”, tha përmes një komunikate komisionari për të drejtat e njeriut.
“Diskutimet e vazhdueshme politike nuk janë fokusuar sa duhet në nevojat e viktimave, duke bërë që ata të fitojnë ndjenjën e braktisjes dhe mungesën e shpresës”, shtoi Muiznieks.
Ai foli edhe për kushtet në të cilat jetojnë rreth 470 persona në 29 vendbanime kolektive në tërë Kosovën, duke thënë se askush në Europë nuk duhet të jetojë në ato kushte.
Më tutje, ai adresoi edhe çështjen e 1660 personave që mungojnë që prej luftës së fundit në Kosovë. /gazetametro.net