Që nga 26 maji, tensionet në veri janë në fokus të medieve ndërkombëtare. Nga CNN, Washington Post, The Guardian e Times kanë intervistuar kryeministrin Albin Kurti ose kanë raportuar në detaje për krejt ngjarjet mes Kosovës dhe Serbisë. Sigurisht, edhe media kineze në gjuhën shqipe, “Radio Ejani”, i ka kushtuar disa raportime ngjarjeve në veri (dhe atë në gjuhën shqipe).
Ndonëse nuk e njeh zyrtarisht Kosovën, media e kontrolluar nga Kina ka raportuar në vazhdimësi për ngjarjet në veri të Kosovës. Në fakt, “Radio Ejani”, që ka mbi 1 milion ndjekës në Facebook, u ka dhënë jehonë edhe deklaratave të Kurtit kundër ShBA-së, të cilat u konsideruan si sulm ndaj mikut më të madh të Kosovës.
Kjo medie kineze, për të cilën Nacionale ka shkruar edhe më parë, e ka cituar deklaratën e Kurtit, në të cilën i kishte cilësuar si të gabuara sanksionet e ShBA-së kundër Kosovës për shkak të ngjarjeve në veri.
““Të gabuara” i ka konsideruar lideri i Kosovës Albin Kurti masat e marra nga SHBA për Kosovë, mes të cilave edhe përjashtimi nga stërvitja Defender 2023, për shkak të situatës së tensionuar në veri. Në një intervistë për “Financial Times”, Kurti u shpreh se qeveria e tij qëndroi pranë kryebashkiakëve shqiptarë etnikë të zgjedhur së fundmi në pjesën veriore të vendit.” – shkruan kjo medie.
Tutje, “Radio Ejani” shkroi se sipas Kurtit Kosova ishte në kontakt të përditshëm me ambasadorin amerikan në Prishtinë.
“E pranoj se sa i përket qasjeve të marra kemi pasur një ndryshim të vogël, por sinqerisht nuk ndjej se asnjë lloj sanksioni për Kosovën.” – citohet Kurti nga media e kontrollluar nga shteti kinez e që vepron në gjuhën shqipe.
“Radio Ejani” ka raportuar disa hërë në lidhje me Kosovën, duke u dhënë jehonë edhe protestave të serbëve në veri. Më 31 maj, ajo ka shkruar se situata në veri është e qetë.
“Situata në veri të Kosovës është paraqitur e qetë gjatë natës dhe mëngjesit të kësaj të mërkure (31 maj).
Një grup i vogël qytetarët ka qëndruar gjatë gjithë natës para objektit të Komunës së Leposaviqit, ndërsa mëngjesin e sotëm ka nisur grumbullimi i qytetarëve para komunës së Zveçanit.” – shkruan media kineze, duke theksuar se dy ditë më parë, për shkak të përleshjeve mbetën të lënduar 25 ushtarë të KFOR-it.
Medie e kontrolluar nga sistemi komunist i Kinës, shkroi edhe për sanksionet e ShBA-së ndaj Kosovës.
“SHBA-ja ndërmori masa kundër Kosovës për injorimin e këshillave të saj për të shmangur rritjen e tensioneve në zonën veriore me shumicë serbe. Ajo e kritikoi Qeverinë e Kosovës për instalimin e kryetarëve shqiptarë në veri “me mjete të dhunshme”.” – shkruan në një artikull “Radio Ejani”.
Ndryshe, për situatën në veri, ditë më parë ka reaguar edhe Kina, që është pronare e “Radio Ejanit”. Në një përgjigje, Chen Bo, ambasadore e Kinës në Serbi, theksoi se shteti kinez e respekton sovranitetin dhe integritetin territorial të Serbisë në lidhje me Kosovën.
“Pala kineze respekton sovranitetin dhe integritetin territorial të Serbisë sa i përket çështjes së Kosovës dhe kupton dhe mbështet kërkesat legjitime të Serbisë, përfshirë ato për mbrojtjen e sigurisë dhe të drejtave ligjore të popullit serb në Kosovë.” – deklaroi Chen.