Takimi i mbajtur ditë më parë për të diskutuar rreth një koalicioni të mundshëm në mes të AKR-së dhe VV-së, nuk solli rezultat, mirëpo sot duket që gjërat kanë ecur, dhe siç thonë burime të gazetametro.net, po punohet për hartimin e një marrëveshjeje zyrtare.
Bëhet e ditur se Mitrovica do të ketë së shpejti edhe drejtorë nga Lëvizja Vetëvendosje, e gjithashtu edhe një nënkryetar nga kjo parti. Këtë e ka bërë të ditur për gazetametro.net, një burim brenda VV-së.
“Edhe pse nuk është përfundimtare, ne marrim tri drejtori dhe nënkryetarin e parë”, ka thënë burimi.
Gazetametro.net mëson se deri tani dihet një drejtori e cila do t’i takojë VV-së, dhe ajo për të cilën bëhet fjalë, është Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport. Për dy drejtori të tjera, thuhet se ende nuk është definitive.
Nevoja për një koalicion të ri në Mitrovicë, ka ardhur pasi partneri i deritanishëm i Agim Bahtirit, LDK’ja, hoqi dorë nga qeverisja e përbashkët pas shkarkimit të një drejtori që vinte nga kjo parti. /gazetametro.net