Loading…

Këto janë rezultatet që i presin partitë politike nga zgjedhjet e 14 shkurtit

  • 21/01/2021 | 18:11

Këto janë rezultatet që i presin partitë politike nga zgjedhjet e 14 shkurtit

Të gjitha partitë presin rezultat të mirë nga zgjedhjet e përgjithshme parlamentare që do të mbahen më 14 shkurt. Lëvizja Vetëvendosje, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Partia Demokratike e Kosovës, të tria presin që të dalin partia e parë pas shpalljes së rezultateve të zgjedhjeve të shkurtit.


Express i ka pyetur subjektet politike se cila është përqindja e votave që presin t’i marrin nga këto zgjedhje, por asnjëra nga to nuk është përgjigjur. Megjithatë, në paraqitjet e tyre publike, përfaqësues të këtyre partive janë shprehur të bindur se do të marrin rezultat të mirë.

Lëvizja Vetëvendosje është shprehur se pret t’i marrë 2/3 e votave. Në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të partisë më 27 dhjetor, kryetari i këtij subjekti politik, Albin Kurti, tha se presin t’i marrin më shumë se 65 mandate.

“Pas vendimit të fundit të Gjykatës Kushtetuese, zgjedhjet janë shumë pranë. Gjasat janë që në këto zgjedhje nga lista jonë të bëhen deputetë më shumë se 65 emra. Nga një anë, ky është lajm i mirë. Por ekziston edhe një fenomen për të cilin duhet të kemi kujdes. Nuk bën të ulim standardin e listës, dhe as të Kuvendit”, tha Kurti.

Për përqindjen, kandidati i LVV-së për deputet, Armend Muja tha të mërkurën në Interaktiv të KTV-së mes 55 dhe 58% të votave.

Por këtyre parashikimeve s’u beson aspak kryetari i LDK-së, Isa Mustafa. Ai këto i ka konsideruar përralla, ndërsa ka thënë se nuk pret që LDK-ja të dëmtohet në zgjedhje.

“Unë mendoj që rrëzimi i Qeverisë nuk mund të jetë arsye që LDK-ja të dëmtohet në zgjedhjet e ardhshme, sepse Qeveria Hoti nuk e ka shkelur Kushtetutën. Qeveria nuk ka bërë asnjë shkelje të Kushtetutës”, kishte thënë Mustafa më 27 dhjetor në një intervistë për “Ekonomia Online”.

Pas rrëzimit të Qeverisë nga aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese, në 31-vjetorin e themelimit të LDK-së, Mustafa kishte thënë se presin të dalin partia e parë në zgjedhje.

“Ne do të hyjmë në zgjedhje me bindjen e plotë se kemi ofertën më të mirë për vendin tonë, se do të dalin parti e parë”, ishte shprehur Mustafa.

PDK-ja, ndonëse në mungesë të Kadri Veselit e Hashim Thaçit, është shprehur se mund të dalë e para. Bashmir Xhema nga zyra për media e kësaj partie ka thënë se PDK-ja ka mundësi të mëdha që t’i fitojë zgjedhjet.

“Nga sondazhet tona, PDK-ja ka një mundësi të jashtëzakonshme për të luftuar dhe për të dalë e para, për disa arsye: Jemi e vetmja parti që nuk shkaktuam kaos në këto 14 muaj. PDK-ja, z. Veseli ka pasur një largpamësi, më 6 tetor ka thënë se PDK-ja do të jetë në opozitë. Verdikti i popullit ishte që të mbesim të tretët. Mendoj që PDK është fituese politike dhe morale në këto 14 muaj”, ka thënë Xhema më 23 dhjetor në Frontal të T7.

Ndërkaq ushtruesi i detyrës së kryetarit të PDK-së dhe kandidati i kësaj partie për kryeministër, Enver Hoxhaj, i ka kërkuar përballje në debat teliviziv Albin Kurtit, duke u shprehur se vetëm dy parti janë në garë për vendin e parë.

Në anën tjetër, AAK-ja pret dyfishim të votave. Ish-shefi i Grupit Parlamentar të kësaj partie, Daut Haradinaj, disa herë është shprehur se presin t’i fitojnë mbi 20 mandate në Kuvend.

“Matematika jonë është shumë e thjeshtë. Domethënë mendimin e kemi për me dalë 20 deputetë plus. Ky është qëllimi dhe është pretendim real. Nuk jemi duke parë ëndrra, por në bazë të asaj që shohim në terren, në bazë të listës po ashtu, të kaluarës tonë, në bazë të kryetarëve të komunave që kanë punuar fort”, është shprehur ai më në Kanal10.

Parashikimin e tij ai ka thënë se e bazon në numrin e komunave ku qeveris AAK-ja.

“Aleanca është më e madhja në pushtet lokal. Ne jemi me shtatë komuna në nivel të qeverisjes. Jemi partia e parë dhe ajo ka me u përkthyer në votë detyrimisht. Në 13 komuna bashkëqeverisim”, është shprehur Haradinaj.

Ndërsa Nisma Socialdemokrate që deri në fund të afatit kërkoi koalicion me PDK-në, pasi në zgjedhjet e fundit mezi e kaloi pragun, megjithatë është e bindur se do të hyjë sërish në Kuvend.

Në dhjetor në një prononcim për Express, sekretari i përgjithshëm i Nismës, Bilall Sherifi i kishte komentuar edhe sondazhet, disa prej të cilëva e renditin Nismën nën pragun minimal për t’u futur në Kuvend. Sherfi ishte shprehur i bindur se Nisma do të futej sërish në Kuvendin e Kosovës.

“Unë një send mund t’ju siguroj, që Nismën do ta keni sërish në Kuvendin e Kosovës pa marrë parasysh a do të mbahen zgjedhjet tash, a do të mbahen në pranverë, a do të mbahen vitin e ardhshëm apo pas një viti… Nismën sërish do ta keni pjesë të Parlamentit të Republikës së Kosovës. Kaq mund t’ju them”, kishte thënë ai.

Për këtë, Sherifi ka thënë se “mund t’ju siguroj dhe mund të më mbani për fjale në të ardhmen”.

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë