Një ndryshim i rëndësishëm në organizimin e sigurisë është duke u bërë në dy prej pikave më të ndjeshme të Kosovës. Në Deçan, Policia e Kosovës po përfshihet hap pas hapi në ruajtjen e Manastirit, ndërsa në Mitrovicë po reduktohet prania e përhershme e KFOR-it në Urën e Ibrit, shkruan Gazeta Metro.
Sipas misionit të NATO-s, kalimi i detyrave nuk do të bëhet në mënyrë të menjëhershme. Vendimet do të varen nga gjendja në terren dhe do të merren në bashkërendim me institucionet vendore, Policinë e Kosovës dhe EULEX-in.
“Përkushtimi i KFOR-it ndaj sigurisë së Manastirit të Deçanit dhe sigurisë së të gjitha komuniteteve lokale është i palëkundur. Personeli ynë është i pozicionuar mirë për t’iu përgjigjur çdo zhvillimi përkatës, në përputhje me mandatin afatgjatë të KFOR-it të bazuar në OKB. KFOR-i mbetet reaguesi i parë për sigurinë e Manastirit të Deçanit”, thuhet nga KFOR-i.
Ndryshimi tjetër po ndodh në Urën e Ibrit, ku pas 27 vjetësh institucionet vendore po nisin të marrin më shumë përgjegjësi për sigurinë. KFOR-i, ndërkaq, do ta ndryshojë mënyrën e angazhimit të tij në këtë lokacion.
Misioni ka theksuar se kjo nuk nënkupton largim nga Mitrovica apo nga veriu i Kosovës. Trupat e NATO-s do të vazhdojnë të jenë të pranishme në pjesët veriore dhe jugore të qytetit, si dhe në zona të tjera të veriut.
“Në përputhje me përmirësimin e situatës së sigurisë në Kosovë, ky është pjesë e procesit për optimizimin e pozicionimit të KFOR-it. Ky proces do të jetë gradual, i bazuar në kushtet në terren dhe do të koordinohet ngushtë me të gjithë akterët relevantë, përfshirë përfaqësuesit e institucioneve në Kosovë dhe të organizatave ndërkombëtare, si dhe përfaqësuesit e Policisë së Kosovës dhe Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX)”, thuhet tutje në njoftim.
KFOR-i ka bërë të ditur se komandanti i misionit po ruan komunikimin me autoritetet e Kosovës dhe ato të Serbisë. Sipas tij, forcat ndërkombëtare mbeten të gatshme për reagim në rast të ndonjë ndryshimi të situatës së sigurisë./gazetametro.net