Ministri i Jashtëm i Kinës Qin Gang dhe homologu i tij holandez Wopke Hoekstra janë takuar të martën ku ministri kinez kërkoi akses në teknologjinë e avancuar të prodhimit të mikro qipave të cilën e ka bllokuar Holanda ndaj kompanive kineze, transmeton Gazeta Metro.
Ndalesat e Holandës, SHBA’së dhe Japonisë ndaj Kinës në teknologjinë e mikroqipëve ka acaruar Kinën duke kërcënuar me prishje të marrëdhënieve me këto vende si dhe me eskalim të situatës në Tajvan.
Nga ky takim nuk ka pasur indikacione se Holanda ka ndryshuar ndalesat në furnizimin e Kinës me makineritë me bazë lithografinë teknologji të cilën e zotëron vetëm një kompani holandeze. Mungesa e këtij mjeti po e pengon Kinën në prodhimin e produkteve të inteligjencës artificiale dhe telefonave të mençur, raporton The Associated Press.
Ministri kinez Qin Gang ka thënë në konferencën e përbashkët se sa i përket makinerive të lithografisë ata kanë shqetësime serioze. Sipas tij këto dy shtete duhet të punojnë së bashku në mirëmbajtjen e tregtisë mes vete si dhe tregtisë globale
Më parë ambasadori i Kinës në Amsterdam kishte kërcënuar Holandën se këto masa do të provokojnë kundërpërgjigjen kineze mirëpo nuk ka informacion nëse kjo temë është diskutuar në takimin 2 orësh mes ministrave.
Ministri Holandez Wopke Hoekstra ka thënë se ata kanë shqetësimet e veta sa i përket sigurisë nacionale. Ministri shtroi më tej se ka dëgjuar shqetësimet kineze dhe se është i hapur për të dialoguar me ta.
Sipas analistëve Pekini po mundohet të përmirësojë marrëdhëniet me qeveritë evropiane në tentim e sipër ti largojë ato nga ndikimi i Washingtonit./gazetametro.net